Ballina Kosova

Posta e Kosovës dy pulla postare me pamje nga Gjilani

PRISHTINË, 13 prill /ATSH/ – Posta e Kosovës ka nxjerrë në qarkullim dy pulla postare të titulluara “Qytetet e Kosovës – Gjilani”, me pamje nga periudha të ndryshme kohore të qytetit.

Drejtori i Postës së Kosovës, Sejdi Hoxha tha se “pullat postare janë dy pamje të Gjilanit, ajo e vitit 1925 dhe e vitit 2018, si simbolikë e të resë me të vjetrën”.

“Kryetari Haziri ka mundësuar që shërbimet e Postës së Kosovës të jenë sa më afër qytetarëve të Gjilanit. Bashkëpunimi ynë në interes të qytetarëve të kësaj komune do të zgjerohet edhe më tej”, theksoi Hoxha.

Ndërsa kryetari i komunës Haziri, u shpreh se “është nder i veçantë për Gjilanin që tashmë e kemi pullën postare dhe ju falënderoj shumë për këtë. Mund të them se kjo është ditë historike për qytetin tonë”.

Komuna e Gjilanit, e ndodhur në pjesën juglindore të Kosovës në trevën e Anamoravës, është një prej komunave më të mëdha të Kosovës, me sipërfaqe prej 525 km2 dhe përbëhet nga 63 fshatra. Rrethinën e Gjilanit e përkufizon lumi Morava e Binçës, i cili mbledh gjithë lumenjtë e vegjël. Ndërsa në juglindje rrethohet nga Malet e Karadakut. Pozita gjeografike, relievi dhe faktorët klimatikë, krijuan mundësinë e zhvillimit të një flore dhe faune mjaft të pasur.

Komuna e Gjilanit ka qenë gjithnjë vatër e rezistencës dhe sakrificës për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Kjo komunë i ka dhënë Kosovës shumë kuadro profesionale, në të gjitha fushat.

Posta e Kosovës, përmes pamjeve të pullave postare, do të vazhdojë në promovimin e vlerave dhe bukurive që ka Republika e Kosovës. /Kosovapress//k.s/

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakSezoni turistik, më shumë turistë se asnjëherë më parë
Artikulli tjetërFOTO/ Shqipëria, 10 plazhet më të bukura në bregdetin e Adriatikut