TIRANË, 15 nëntor/ATSH/ – Presidenti i Republikës, Ilir Meta i ftuar në emisionin “Open” e cilësoi incidentin në fshatin e Gjirokastrës, Bularat, si aspak të rastësishëm dhe sipas tij do të ketë edhe provokime të tjera.
“Është e rëndësishme të bëhet një analizë e plotë të të gjithë administrimit të një situate të tillë, pasi duhet të përgatitemi me provokime të tilla, pasi duket se nuk kemi të bëjmë me një rastësi. Këtë e kam thënë prej kohësh dhe i kam paralajmëruar shërbimet tona të hapin sytë”, – tha Meta.
Presidenti foli edhe për konfliktet politike të cilat sipas tij kanë një efekt jo të mirë te njerëzit, duke u shoqëruar deri me largime nga vendi.
“Jemi mësuar me teori konspiracioni. Më vjen keq që keni fenomene negative në shoqëri. Përmes konflikteve të panumërta, shmanget vëmendja nga çështjet esenciale, në mënyrë që të mos kemi këtë situatë. Që mos kemi njerëz që duan të largohen nga vendi, për fat të keq kjo është e rëndë. I takon mazhorancës të bëjë përpjekje. Është e lehtë të fajësosh opozitën, ama mazhoranca duhet të marrë më shumë përgjegjësi”, – deklaroi Meta.
Presidenti u shpreh se nuk do të ja lejonte asnjëherë vetes të shkelte Kushtetutën, teksa po fliste për çështjen e dekretimit të kandidaturës së Sandër Leshaj si ministër i Brendshëm./e.caushi/





















