TIRANË, 5 Prill /ATSH- I. Vata/ – “Të anulohet taksa e “Rrugës së Kombit” dhe të lirohen të arrestuarit”, ka qenë mesazhi i përcjellë nga kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha nga protesta e opozitës organizuar sot në Vorë.
Në fjalën e tij para mediave, Basha tha se “e para duhet hequr taksa plotësisht. E dyta; Edi Rama po përpiqet të fitojë kohë sepse është nën presionin e reagimit të qytetarëve dhe pastaj t’i godas qytetarët pabesisht”.
“Ne jemi këtu për të kërkuar lirimin e të gjithë të arrestuarve. Ne jemi këtu në krah të qytetarëve që kërkojnë t’i jepet fund një regjimi që ka politizuar policinë, prokurorinë dhe gjykatat”, tha ai.
I pyetur për reagimin e kryeministrit Rama sot në lidhje me “Rrugën e Kombit”, Basha tha se “reagimet e sotme të Ramës jo vetëm janë të pabesueshme por nuk zgjidhin thelbin e problemit të parë, pasi taksa e Rrugës së Kombit duhet anuluar plotësisht”.
“Shqiptarët paguajnë taksën e rrugës në të gjithë Shqipërinë, plotë 200 milionë euro në vit. Të arrestuarit duhen të lirohen”, tha në fund Basha.
Edhe kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi ripërsëriti të njëjtën kërkesë duke deklaruar se “protestat nuk do të ndalojnë nëse qeveria nuk heq taksën e Rrugës së Kombit dhe nuk do të lirojë djemtë kuksianë”.
Nga Elbasani, Kryemadhi falenderoi të gjithë qytetarët që iu bashkuan kësaj proteste, e cila sipas saj “do të vazhdojë nëse qeveria nuk heq TVSH për biznesin e vogël, po nuk riktheu në ndihmën ekonomike 20 mijë familje, po nuk hoqi taksën e pronës, po nuk uli çmimin e ujit”.
“Shqiptarët janë të gjallë, të lodhur nga varfëria por shpirtin nuk ua lodh dot qeveria. Dita e sotme ishte një ditë se për t’i treguar kryeministrit që nuk i ndal shqiptarët në rrugën e protestave”, tha ajo.
/a.g/













