Ballina Bota

FOKUS – Konsumimi i tepërt i mishit të kuq të përpunuar mund të rrisë rrezikun e demencës

MASASHUTSES, 16 janar /ATSH-AA/ – Studiuesit nga Shkolla e Shëndetit Publik T.H. Chan pranë Unviersitetit Harvard në SHBA zbuluan se njerëzit që konsumojnë më shumë produkte të mishit të kuq të përpunuar, si salçice dhe sallam, janë në rrezik më të lartë të diagnostikimit me demencë.

Sipas lajmit të “Science Daily”, përafërsisht 134 mijë pjesëmarrës të moshës mesatare prej 49 vjeç dhe pa diagnozë të demencës, plotësuan një ditar ushqimor çdo 2 dhe 4 vjet, duke renditur ushqimet që kanë ngrënë dhe sa shpesh i kanë konsumuar ato.

Studiuesit i ndanë pjesëmarrësit në tre grupe, “konsum i ulët”, “konsum i moderuar” dhe “konsum i lartë”, bazuar në sasinë mesatare të mishit të kuq që hanin në ditë.

Si rezultat u zbulua se njerëzit që “konsumojnë sasi të mëdha” të produkteve të përpunuara të mishit të kuq kanë një rrezik 13 për qind më të lartë për t’u diagnostikuar me demencë në vitet e mëvonshme, krahasuar me ata që “konsumojnë sasi të vogla”.

Nga ana tjetër, studiuesit theksuan se konsumimi i një porcioni me arra ose bishtajore në vend të një porcioni të mishit të kuq të përpunuar në ditë ul rrezikun e demencës me 19 për qind, konsumimi i peshkut me 28 për qind dhe konsumimi i mishit të bardhë me 16 për qind.

Gjetjet e studimit janë publikuar në revistën “Akademia Amerikan e Neurologjisë”.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakMblidhet këshilli bashkiak, betohet anëtari më i ri i komunitetit rom
Artikulli tjetërRama: Muzeu i parë lundrues në Portin e Durrësit. Suard: U përzgjodh mes 20 qyteteve