Ballina Bota

SOFT NEWS – Në Milano hiri i kafshëve shtëpiake do të varroset bashkë me pronarët

MILANO, 3 janar /ATSH/ – Ata janë miq besnikë dhe shoqërues të përjetshëm dhe tani do të mund edhe të pushojnë së bashku me pronarët e tyre, në një akt civilizimi, shkruan tgcom24.

Në Milano, hiri i kafshëve shtëpiake, jo vetëm i qenve dhe maceve, por edhe i shpendëve, peshqve, breshkave, lepujve apo brejtësve mund të varroset në varrin e pronarit të tyre të ndjerë.

Kështu ka vendosur bashkia, e cila në këtë mënyrë zbaton ligjin rajonal të vitit 2022, me një rezolutë që shpjegon se si mund të kryhen varrosjet e kafshëve familjare.

Një dëshirë e shumë pronarëve të kafshëve shtëpiake është që të pushojnë së bashku me ”shokun” e tyre me katër këmbë, gjë që mund të arrihet edhe në një qytet të madh si Milano, duke ndjekur rregulla shumë specifike.

”Varrosja e kafshëve shtëpiake në varrezat e qyteteve është një akt qytetërimi që shumë e kanë pritur”, thotë këshilltarja bashkiake për shërbimet qytetare, Gaia Romani.

Nuk lejohet asnjë foto e kafshës mbi gurin e varrit apo mbi varr dhe asnjë epigraf që i referohet asaj, megjithatë lejohet një fotografi e të ndjerit së bashku me ”mikun” e tij katërputrosh.

Kushti kryesor, i parashikuar nga ligji rajonal, është që kafsha të varroset së bashku ose pas varrimit të pronarit të saj.

Për më tepër, çdo lëvizje e pronarit do të përfshijë edhe lëvizjen e hirit të kafshës shtëpiake dhe, në rast se destinacioni i ri nuk mund t’i strehojë të dy, hiri i kafshës do të duhet të mblidhet nga të afërmit e të ndjerit.

”Ne e dimë se si sot, gjithnjë e më shumë njerëz vendosin një marrëdhënie të veçantë me kafshët e tyre dhe të dish se ata mund të pushojnë pranë tyre, duke u garantuar atyre një varrim dinjitoz, është sigurisht një iniciativë e vëmendjes dhe ndjeshmërisë së madhe, e cila u jep lehtësi atyre që i duan kafshët dhe ndajnë me to një pjesë të ekzistencës së tyre”, thekson Romano./ a.jor.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakRama ndan pamje nga shëtitorja “Taulantia” në Durrës
Artikulli tjetërMEKI hap për herë të parë thirrjen për grante në mbështetje të programit kulturor të organizatave