Ballina Bota

AZERBAJXHAN – Aliyev i kërkon Rusisë kompensim për rrëzimin e aeroplanit të pasagjerëve

BAKU, 29 dhjetor /ATSH-AA/ – Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, ka kërkuar që Rusia të pranojë fajin për rrëzimin e aeroplanit azerbajxhanas të pasagjerëve, të ndëshkojë përgjegjësit dhe të paguajë dëmshpërblimin.

Duke folur për gazetarët në Baku, presidenti Aliyev konfirmoi se aeroplani i ‘Azerbaijan Ailines’, i cili u rrëzua pranë qytetit Aktau në Kazakistan, u dëmtua rëndë nga “zjarri i përhapur në tokë” dhe pothuajse humbi kontrollin për shkak të luftës radio-elektronike.

“Faktet janë se avioni civil i Azerbajxhanit u dëmtua në pjesën e jashtme të tij në territorin rus, afër Groznyt dhe pothuajse humbi kontrollin. Ne gjithashtu e dimë se avioni ynë humbi kontrollin për shkak të luftës radio-elektronike”, tha Aliyev.

Fluturimi i ‘Azerbaijan Airlines’, në linjën nga kryeqyteti Baku i Azerbajxhanit drejt qytetit Grozny në Republikën Çeçene të Rusisë, u rrëzua 3 kilometra nga Aktau në bregun e Detit Kaspik në Kazakistan.

Autoritetet e Kazakistanit raportuan se 38 persona humbën jetën në rrëzimin e aeroplanit ‘Embraer 190’, i cili kishte 67 persona në bord, ndërsa 29 mbijetuan. Hetimet për incidentin janë duke vazhduar si në Azerbajxhan ashtu edhe në Kazakistan.   /os/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprak“Rikrijo të shkuarën, ndërto të ardhmen”, çelet faza e tretë e programit të granteve EU4Culture
Artikulli tjetërMJEDIS – Shkupi proteston kundër ndotjes së ajrit