Ballina Aktualitet

Gradohen dy gjeneralë, ushtarakë karriere

TIRANË, 2 nëntor/ATSH-A Fortuzi/-  Në mjediset e Shtabit të Përgjithshëm të FA, u zhvillua ceremonia e gradimit të gjeneral brigade Albert Mullai dhe gjeneralmajor Nazmi Cahani.

E pranishme në këtë ceremoni, Ministrja e Mbrojtjes, u shpreh se të dy gjeneralët kanë treguar profesionalizëm, integritet dhe përkushtim të spikatur gjatë punës së tyre.

“Nën drejtimin e gjeneral Cahanit, Forca tokësore ka arritur rezultate të rëndësishme, ndër të cilët do veçoja punën e palodhur dhe certifikimin me sukses të Grup Batalionit të Lehtë të Këmbësorisë si dhe angazhimet në Emergjencat Civile. Po kështu, edhe Akademia e Nënoficerëve, nën drejtimin e gjeneral Mullallit është transformuar në një institucion efikas për formimin e korpusit të nënoficerëve, kaq të rëndësishëm për misionin e FA”, tha Xhaçka.

Gjithashtu, Ministrja Xhaçka theksoi se krijimi i shanseve të barabarta dhe meritokracia në ecurinë në karrierë të personelit të FA do të jetë një nga prioritetet e panegocueshme.

Gjeneralmajor Nazmi Cahani me një përvojë ushtarake 32 – vjeçare, aktualisht mban postin e komandantit të Forcës Tokësore, ndërsa gjeneral brigade Albert Mullai me një eksperiencë 30 – vjeçare, atë të komandantit të Akademisë së Nënoficerëve.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakNainggolan drejt rikthimit në fushë ndaj “Barcelonës”
Artikulli tjetërTelashe për Guardiolën, De Bruyne dëmtohet përsëri