Ballina Bota

MOLDAVI – Kampi pro-BE kryeson me një diferencë të vogël në referendum

KISHINEV, 21 tetor /ATSH-DPA/- Ish-republika sovjetike e Moldavisë me sa duket ka votuar me një shumicë të vogël për të përfshirë në kushtetutë një kurs pro-Bashkimit Evropian, megjithëse rezultati nuk është përfundimtar.

Referendumi po vëzhgohet nga afër në Bruksel, por shpresat për një rezultat të fortë në favor të BE-së, e cila premtoi 1,8 miliardë euro ndihmë ekonomike për Moldavinë këtë muaj janë shuar.

Moldavia, e vendosur mes Ukrainës dhe Rumanisë, është një kandidate për anëtarësim në BE, por tradicionalisht ka qenë e ndarë midis Perëndimit dhe Rusisë.

Me 98,3% të votave të numëruara, komisioni zgjedhor tha se 50,08% e pjesëmarrësve votuan në favor të ndryshimit të kushtetutës për përfshirjen e lidhjeve më të ngushta me BE-në si qëllim strategjik. Rreth 49,92% ishin kundër, duke zbuluar forcën e kampit pro-rus.

Duke qenë se votimi është jashtëzakonisht afër, rezultati përfundimtar mund të ndryshojë ende nga numërimi paraprak.

Më herët, u duk sikur kampi kundërshtues ishte përpara.

Presidentja Maia Sandu u ankua për mashtrim masiv elektoral gjatë natës duke e lënë të paqartë nëse do ta njihte rezultatin.

52-vjeçarja fitoi zgjedhjet presidenciale që u mbajtën në të njëjtën kohë të dielën, por ajo nuk arriti një shumicë absolute.

Themeluesja e Partisë pro-perëndimore të Veprimit dhe Solidaritetit (PAS) do të duhet të përballet me një balotazh më 3 nëntor. //a.i/

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprak600 libra dhe harta origjinale nga Venecia ekspozohen në Bibliotekën Kombëtare
Artikulli tjetërPas Metës GJKKO cakton “detyrim paraqitje” edhe për deputeten Monika Kryemadhi