Ballina Aktualitet

“Dimali-24”, përfundon stërvitja e përbashkët e FA-së dhe FSK-së

TIRANË, 26 shtator/ATSH/ 395 trupa nga Regjimenti i Këmbësorisë së Jugut me 58 mjete dhe një togë nga Forca e Sigurisë së Kosovës zhvilluan në datat 23-26 shtator, stërvitjen e koduar DIMALI-24.

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu bëri të ditur se në stërvitjen që u mbajt në rajonin Arshi Lengo, Gjirokastër, u testuan kapacitetet operacionale të Forcave të Armatosura të Shqipërisë për zhvendosjen dhe kryerjen e operacioneve luftarake mbrojtëse si dhe ndërveprimi me forcat e tjera.

“Kjo stërvitje, ashtu si edhe stërvitjet e mëparshme shërben edhe për t’iu përgjigjur në kohë nevojave të brendshme, duke siguruar kontribute ushtarake modeste, por dinjitoze për misionet dhe operacionet e drejtuara nga NATO, Bashkimi Evropian, apo OKB”, tha Vengu.

Në ceremoninë e mbylljes së kësaj stërvitjeje mori pjesë shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, gjeneralmajor Arben Kingji, komandanti i Forcës Tokësore, gjeneralmajor Ilir Xhebexhija, delegacioni i FSK i kryesuar nga shefi i Shtabit të FT të FSK kolonel Valdet Berisha, drejtori i SHPFA gjeneralbrigade, Aleksandër Pando si dhe përfaqësues nga SHPFA dhe komandantët e reparteve vartëse të Forcës Tokësore.

/m.m/r.e/a.f/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakRama i përgjigjet Bardhit: Ushtar i pacipë i Mbretërisë së Shpifarakëve, pres përfundimin e hetimeve të SPAK
Artikulli tjetërDenaj-Burtscher: Integrimi evropian, prioritet në politikat bujqësore