Ballina Bota

FOKUS – Anglosakson? Për Kembrixhin jo më!

TIRANË, 14 maj /ATSH/ – E ashtuquajtura kultura e përjashtimit* (“Cancel Culture”) ka arritur marramendjen ekstreme, shkruan Luigi Ippolito për gazetën më të madhe italiane ”Corriere della sera”.

Revista historike e Universitetit të Kembrixhit, që deri tani titullohej ”Anglia anglosaksone”, ka njoftuar se do të ndryshojë emrin e saj në ”Anglia e Mesjetës së Hershme dhe fqinjët e saj”.

Zyrtarisht, synimi është që të ketë një qasje më të gjerë dhe një rreze ndërdisiplinore, por realiteti është se, në sytë e studiuesve të universitetit të famshëm anglez, vetë termi ”anglosakson” është bërë problematik, diçka për t’u turpëruar.

Fakti është se në Amerikë ai përkufizim u miratua edhe nga supremacistët e bardhë, me një konotacion të vendosur racist dhe revista e Kembrixhit është e vëmendshme ndaj publikut në anën tjetër të Atlantikut.

Mbi të gjitha, megjithatë, heqja dorë nga termi anglosakson u pa si një lëvizje ekstreme e përpjekjes për të dekolonizuar studimet, një tendencë që synon rishikimin e të gjithë bagazhit kulturor të Perëndimit në një drejtim antiracist dhe antiimperialist .

Vitin e kaluar, në Kembrixh, ata kishin paraqitur teorinë se anglosaksonët nuk do të kishin ekzistuar kurrë si një grup i veçantë, në një përpjekje për të trajtuar “mitet e nacionalizmit”.

Në këtë pikë duhet të heqim dorë nga vetë termi Angli, që nuk do të thotë asgjë tjetër veçse “toka e këndeve”.

Kjo do të ishte kulmi i një cupio dissolvi (lat. dua të përjashtohem – shën. i përkth.) që duket se ka pushtuar kulturën perëndimore.

Ndërkohë, rusët dhe kinezët ndoshta po qeshin./ a.jor.

* Kultura e përjashtimit – fenomeni ose praktika e refuzimit publik, bojkotimit ose përfundimit të mbështetjes për njerëz ose grupe të veçanta për shkak të pikëpamjeve ose veprimeve të tyre të papranueshme shoqërore ose morale.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakAsambleja e PABSEC, Hasani: Shqipëria, e palëkundur për të kontribuar për paqe e siguri
Artikulli tjetërAksi Thumanë-Kashar, gati më 30 qershor për qarkullimin e automjeteve