TIRANË, 18 prill/ATSH/ Në Galerinë e Artit Tiranë (GAT) të shumtë kanë qenë vizitorët qëkurse është çelur ekspozita “Dhoma e Pasme” e piktorit Buron Kaceli. Ekspozita e tij vetjake me piktura e vizatime sjell një përzgjedhje të veprave të tij ndër vite. Punët e ekspozuara në Galerinë e Artit Tiranë nisin që nga viti 1967 e vijojnë deri në ditët e sotme. Tirana urbane, jeta e saj, por dhe punë që piktori Kaceli ka realizuar kur ka qenë arsimtar në malësitë e saj apo në rrethina të tjera janë pjesë e ekspozitës, ku të shumta janë edhe portretet.
Piktor Buron Kaceli “Mjeshtër i Madh” thotë se ftesa për këtë ekspozitë erdhi nga GAT. Ekspozita vjen e konceptuar nga drejtuesja e GAT, Edit Pula e cila e ka paraqitur pikturën e Kacelit, siç një hulumtim të Tiranës e përshkrim të tranzicionit.
Galeria e Artit Tiranë synon një program të qëndrueshëm duke krijuar ekspozitat dhe eventet e saj në kohezion me realitetin bashkëkohor të Tiranës.
“Dhoma e pasme” e Buron Kacelit vjen pas disa ekspozitave interesante që patën jehonë në jetën kulturore në Tiranë si, ekspozita e Kukullave Japoneze, “Ningyo & Na ishte Njëherë”, “Introspeksion” i artistit Toni Milaqi dhe së fundmi ekspozita fotografike “Lana-Tirana, Para-Pas Albania” e fotografit Roland Tasho.
/r.e/





















