Ballina Flash

Përfaqësues të Akademisë “La Scala” në TKOB

TIRANË, 29 mars/ATSH/ Përfaqësues të Akademisë “La Scala” kanë zhvilluar një takim në mjediset e TKOB me drejtoreshën e institucionit, Abigeila Voshtina.

Me Tommaso Abbiati, drejtuesi i Marketing-ut, Rritjes së Fondacioneve dhe Sponsorizimeve si dhe kolegen e tij, Letizia Cirri, Voshtina bisedoi rreth një binjakëzimi të mundshëm mes TKOB dhe “La Scala”, propozim i cili është pritur me entuziazëm nga pala italiane.

“Të tilla bashkëpunime, me në fokus të rinjtë shqiptarë e të huaj, do të fuqizojnë akoma më tepër potencialin e tyre, në skenën e TKOBAP-së dhe përtej saj. Mbi të gjitha, artistët e rinj do mund të pasurojnë repertorin artistik të veprave që nuk i kanë debutuar përgjatë viteve akademike apo përgjatë eksperiencës së tyre artistike”, shkruhet në faqen e Teatrit Kombëtar të Operas e Baletit.

“La Scala” e Milanos u inaugurua me 3 gusht të vitit 1778. Ai njihet botërisht si shembull i ekselencës, duke qenë se në të kanë interpretuar këngëtarët, instrumentistët e balerinët më të mirë nga të gjitha vendet e botës. “La Scala” ofron edhe trajnime profesionale në muzikë, balet e menaxhim skenik.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakRama: Moli do të rikthejë lundrimin në Bunë, zhvillim turizmit ndërkufitar me Malin e Zi
Artikulli tjetërDelegacioni i Kuvendit, vizitë studimore në Skoci