Ballina Flash

Peshëngritësi Kristi Ramadani konfirmohet nënkampion Evrope

TIRANË, 8 mars /ATSH/ Federata Shqiptare e Peshëngritjes njofton sot se Shqipëria ka një nënkampion të ri Evrope, Kristi Ramadanin.

FSHP përmes rrjeteve sociale bën me dije se ditën e sotme, datë 08 mars 2024, ka ardhur më në fund përgjigjja e shumëpritur e testit antidoping nga ITA (Agjencia Ndërkombëtare e Testimit), ku Kristi Ramadani iu nënshtrua testit në gjak dhe urinë në Kampionatin Evropian të Peshëngritjes në Sofje, Bullgari, i zhvilluar në datën 16 shkurt 2024.

“Është i rëndësishëm ky njoftim, pasi ka pasur shumë aludime, thashetheme, denigrime në drejtim të këtij sportisti të ri me shumë perspektivë.

Në këtë kuadër bëjmë një apel, që të gjithë të jemi të kujdesshëm, qoftë edhe ndonjë sportist i cili ka aluduar për Kristi Ramadanin.

Të arrish të jesh nënkampion Evrope, të duhet shumë punë, disiplinë, këmbëngulje, shpenzime dhe balta mbi këta sportistë është e patolerueshme.

I urojmë shumë suksese Kristi Ramadanit dhe jemi të sigurtë që do të jetë një pretendent kryesor në Kampionatin Botëror që do të zhvillohet në nëntor 2024 në Bahren”, mbyll njoftimin FSHP.

Edhe pse garoi në Baterinë B, gara e Ramadanit në Sofje ishte mjaft e mirë, duke i dhuruar Shqipërisë dy medalje të argjendta, të parat për të në një Europian për të rritur.

Ramadani u rendit i dyti në stilin e shtytjes, me 190 kg, vetëm 1 kg më pak se fituesi i së artës. Ndërsa në dygarësh  arriti 341 kg dhe koleksionoi edhe medaljen e dytë të argjendtë, duke mbyllur kështu një europian fantastik.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakShefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, Kingji, takim me ekipin e Gardës Kombëtare të Nju-Xhersit
Artikulli tjetërFOKUS – Von der Leyen: Së bashku me SHBA dhe EBA nisim misionin humanitar në Gaza