SELANIK, 31 janar /ATSH-ANSA/ – Rruga shtetërore Athinë-Lamia u mbyll në të dy drejtimet nga një bllokadë e fermerëve të cilët iu bashkuan protestave të fermerëve, të cilat ditët e kaluara prekën edhe Greqinë, mes vendeve të tjera evropiane.
Në protestë merrnin pjesë 50 traktorë dhe 70 persona, raporton Kathimerini. Sipas transmetuesit Ert, qarkullimi i makinave po devijohet në rrugë dytësore.
Protestat e fermerëve kundër rritjes së kostove të prodhimit dhe dëmeve të shkaktuara nga përmbytjet e shtatorit të kaluar pritet të vazhdojnë edhe në ditët në vijim.
Mëngjesin e sotëm kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis u takua me fermerët që organizuan protesta në Vonicë të Etolisë.
Zëdhënësi i protestës ka kërkuar ndër të tjera masa mbështetëse të menjëhershme nga qeveria, uljen e kostove të prodhimit dhe krijimin e projekteve infrastrukturore në fshat.
“Ju e dini shumë mirë se mbështetja e sektorit primar është prioriteti ynë kryesor politik. Unë i di problemet. Ne jemi gjithmonë të hapur për të parë se çfarë mund të bëjmë më mirë si në nivel kombëtar ashtu edhe në atë evropian’’, theksoi Mitsotakis. /os/




















