Ballina Bota

METEO – WMO: Dekada e fundit më e nxehta në histori

LONDËR, 5 dhjetor /ATSH-DPA/ – Dekada e mëparshme ka qenë më e nxehta në histori me shkrirjen e akujve polar dhe malor dhe rritjen e nivelit të detit më shpejt se në shekullin XX, tha Organizata Botërore Meteorologjike (WMO).

Akullnajat janë holluar me një metër “të paprecedentë” në vit, ndërsa shtresa e akullit kontinental të Antarktidës humbi gati 75% më shumë akull midis 2011-2020 sesa midis 2001-2010.

Kjo do të thotë se do të ketë më pak ujë të freskët në dispozicion për miliona njerëz në mbarë botën, ndërsa zonat e ulëta bregdetare përballen me përmbytjen nga baticat në rritje.

“Gazet serrë globale vazhdojnë të rriten pavarësisht nga një rënie e shkurtër gjatë pandemisë së Covid-19, ku çdo dekadë është më e nxehtë se e fundit që nga vitet 1990”, tha WMO.

“Midis 2011 dhe 2020, temperatura mesatare globale ishte 1,1 gradë Celsius mbi nivelet para-industriale”, sipas analizës së WMO.

Vitet më të nxehta të dekadës ishin 2016 dhe 2020, ndërsa gjashtë vitet më të nxehta të regjistruara së bashku ishin midis 2015 dhe 2020.

“Çdo dekadë që nga vitet 1990 ka qenë më e ngrohtë se ajo e mëparshme dhe ne nuk shohim asnjë shenjë të menjëhershme të ndryshimit të këtij trendi”, sekretari i përgjithshëm i WMO, profesor Petteri Taalas.

Shumë vende raportuan temperatura të larta rekord se në çdo dekadë tjetër.

Oqeani ynë po ngrohet gjithnjë e më shpejt dhe shkalla e rritjes së nivelit të detit është pothuajse dyfishuar në më pak se një gjeneratë.

“Ne po humbasim garën për të shpëtuar akullnajat tona të shkrira dhe shtresat e akullit”, tha ai.

Arktiku po nxehet më shpejt se çdo rajon tjetër në Tokë, sepse energjia diellore absorbohet nga oqeanet e errëta në vend që të reflektohet përsëri në hapësirë nga akulli i bardhë i detit në një proces të njohur si efekti “Albedo”.

Shkrirja e shtresës së akullit të Groenlandës bëri që niveli i detit të rritet me një normë vjetore prej 4,5 mm në vit në dekadën e fundit, krahasuar me 2,9 mm në vit midis 2001-2010.

Lajmi i vetëm i mirë është se vrima në shtresën e ozonit mbi Antarktik ishin zvogëluar në krahasim me dy dekadat e mëparshme dhe se sistemet e paralajmërimit të hershëm për fatkeqësitë ishin përmirësuar, duke rezultuar në më pak persona të plagosur dhe të vrarë.

Vendet janë zotuar të ndalojnë rritjen e temperaturës mesatare globale me 1,5 gradë Celsius mbi nivelet para-industriale dhe janë mbledhur në Dubai në bisedimet e klimës COP28 të OKB-së për të vlerësuar progresin në këtë drejtim.

Javën e kaluar, WMO publikoi shifra të përkohshme që tregojnë se është pothuajse e sigurt se viti 2023 do të jetë viti më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë.

Shkencëtarët po u bëjnë thirrje qeverive në mbarë botën që të angazhohen për një ndërprerje të shpejtë të përdorimit të karburanteve fosile. //a.i/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBSH: Depozitimi i parave nëpërmjet bankomateve u rrit me 22%
Artikulli tjetërDita e dytë e seleksionimeve, futbollistët e rinj rrëfejnë emocionet: Ëndërr e çdo shqiptari të veshë fanellën kuqezi