Ballina Flash

Përkujtohet sopranoja shqiptare Marie Kraja

TIRANË, 21 nëntor/ATSH/ Më 21 nëntor 1999 ndërroi jetë këngëtarja lirike Marie Kraja.

Kraja ishte ndër solistet e para të premierës së Teatrit të Operas dhe Baletit të porsathememeluar. Mori pjesë gjithashtu në operën e parë shqiptare “Mrika”.

Artistja i kreu studimet e larta për kanto në Konservatorin e Gracit në Austri, në vjetët 1930-1934. Më pas do të kthehej në Shqipëri, ku do të niste të shërbente si mësuese muzike në Institutin “Nëna Mbretëreshë”. Ndonëse e angazhuar profesionalisht jashtë vendit, karriera e saj do të lidhej ngushtë me muzikën shqiptare. Rreshtohej në plejadën e parë të këngëtarëve vendas: Tefta Tashko Koço, Kristaq Antoniu, Mihal Ciko, Jorgjie Truja etj. U ngjit në skenat e mirënjohura evropiane për veprat: “Rusalka”, “Ivan Susain”, “Nusja e shitur”, “La Traviata”, “Jollanda”, “Dasma e Figaros” etj.

Aktiviteti i saj pedagogjik e nisi me krijimin e shkollave të para të muzikës në Shqipëri, Liceu Artistik “Jordan Misja” në Tiranë (1946) dhe Konservatorit Shtetëror të Tiranës (1962). Për meritat e saj si artiste dhe si mentore, Maria Kraja u nderua me titullin “Artiste e Popullit”, me Urdhrin “Naim Frashëri” të klasit të parë, si edhe me medaljen “Mjeshtre e Madhe e Punës”.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakGJKKO e Apelit: “Arrest shtëpie” për Jamarbër Malltezin, mbetet në fuqi masa për Berishën
Artikulli tjetërBeci-Kusari: Shkodra dhe Gjakova, projekte të përbashkëta zhvillimore