TIRANË, 21 nëntor/ATSH/ Deputetja e Partisë Demokratike, Merita Bakiu u shpreh sot në një deklaratë për mediet nga selia e kësaj partie se PD propozon rritjen e buxhetit deri në masën 5% të GDP-së për Ministrinë e Arsimit dhe Sportit. Sipas saj, efekti financiar do të përballohet nga ulja e shpenzimeve operative të qeverisë, investimeve jo prioritare, kontratave koncesionare/PPP.
Duke komentuar miratimin ditën e djeshme të buxhetit dhe paketës fiskale në Kuvend, Bakiu u shpreh se ato nuk mbështesin ekonominë reale. “Nuk mbështet sipërmarrësin dhe profesionistin e lirë, arsimin, shëndetësinë, bujqësinë, turizmin, pensionitët, shtresat në nevojë, ish të përndjekurit, rininë. Ky buxhet mbështet vetëm oligarkët”, tha ajo.
Bakiu u shpreh se Partia Demokratike ka paraqitur 8 amendamente, të cilat synojnë që ky buxhet të kthehet në shërbim shqiptarëve.
Bakiu informoi se personalisht, si anëtare e Komisionit për Arsimin, ka depozituar një amendament që kërkon rritjen e fondeve për arsimin.
Sipas këtij amendamenti, totali i buxhetit të planifikuar në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit është në vlerën 52223 milionë lekë, të bëhet në vlerën 104444 milionë lekë. Në relacionin shoqërues të amendamentit thuhet se arsimi është një nga sektorët më të rëndësishëm dhe rritja e financimit të këtij sektori është jetik.
“Prej vitesh arsimi ka qenë i nënfinancuar krahasuar me nevojat reale. Me qëllim rritjen e cilësisë së mësimdhënies në të gjitha nivelet, rritjen e investimeve në infrastrukturë (shkolla e kopshte), rritjen e konsiderueshme të pagave të stafeve akademike, rritjen e financimit të studentëve për të përballuar efektet e rritjes së çmimeve, propozojmë rritjen e buxhetit deri në masën 5% të GDP-së për Ministrinë e Arsimit dhe Sportit”, thuhet në relacion.
/r.e/






















