Ballina Flash

“Attila” e Giuseppe Verdi-t, premierë absolute në Tiranë

TIRANË, 30 tetor/ATSH/ Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit njoftoi se do të sjellë së shpejti operën “Attila”, nga Giuseppe Verdi, e cila do të ngjitet si premiere absolute në skenën e TKOB-së për të dëshmuar tragjedinë e shekullit V të mbretit të Hunëve, Atilës, dhe rezistencën së popullit italian.

Në qendër të veprës është guximtarja Odabella, ndjekur nga gjenerali Ezio dhe i dashuri i saj Foresto. Heroizmi i vajzës italiane, Odabellës, e cila me trimërinë e saj arrin të fusë në kurth pushtuesin barbar, duke u hakmarrë kështu ndaj vdekjes së të atit, bën që historia të shkruhet në favor të drejtësisë.

Kjo opera që prezanton aspekte të një natyre novatore, në konceptimin dramaturgjik dhe stilistik të krijuesit të tij, do të ngjitet nga Orkestra Simfonike, solistët dhe Kori i TKOB-së, nën dirigjimin e veçantë të maestros, Jacopo Sipari di Pescasseroli, regjinë e Ada Gurrës dhe kostumografinë e Edlira Qyshkës.

“Attila” do të shfaqet për 4 netë plot emocione, mes konflikteve njerëzore dhe idealizmit patriotik. Publiku artdashës mund ta ndjekë në datat 15, 16, 18 dhe 19 nëntor.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBerisha: Motiv themelor për betejën tonë pa kthim, rikthimi i votës së lirë
Artikulli tjetërTuristët gjermanë të kroçerës “Ms Amadea”, vizitë në Krujë