TIRANË, 29 shtator/ATSH/ Edicioni i 21-të i Tirana International Film Festival (TIFF) përfundoi duke i dorëzuar “Bufin e artë” regjisorit Abbaz Amini, për filmin “Endless Borders”, një film që kapërcen narrativën e zakonshme të trajtimit të temës së emigrantëve dhe e bën shikuesin të kuptojë se kufijtë nuk janë vetëm fizikë dhe gjeografikë, por thellësisht shpirtëror dhe kulturor.
Filmi “Endless Borders” që i përkiste njërës prej kategorive më të rëndësishme, Best Feature Film do të konkurrojë këtë vit edhe në Oscars.
Në kategorinë e filmit të shkurtër më të mirë, Best Short Film u përzgjodh filmi “Please Hold the Line” nga regjisori malajzian Tan Ce Ding, një film i cili përshkruan historinë e një vajze të re në kauzën e saj të sinqertë për të arritur objektivat e saj financiare, si dhe zhvillimin e marrëdhënies së saj me të atin.
Narrativa e filmit shënon kulmin në marrëdhënien problematike babë e bijë.
Çmimi i filmit Best Europian Short Film shkoi për regjisoren Carla Melo me filmin “La Perra”. Filmi shquhet për analizën e ndërlikuar dhe novatore të dinamikave gjinore dhe të përjetimit femëror.
Mes shumë çmimesh të tjera, mund të përmendim, Best ShortFilm In Albanian të cilin e fitoi regjisorja Aulona Selmani si dhe Best Documentary i regjisores Otilia Babara.





















