TIRANË, 29 shtator /ATSH/ Në kuadër të Ditës për të Drejtën e Informimit, Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, në bashkëpunim me Bashkinë Tiranë, organizuan një aktivitet për të nxitur transparencën, llogaridhënien, përgjegjshmërinë dhe mirëqeverisjen.
Në këtë takim ndërgjegjësues ishin të pranishëm nëpunës të njësisë më të madhe të vetëqeverisjes vendore në vend.
Për Zyrën e Komisionerit, Bashkia e Tiranës është një partner korrekt dhe i përkushtuar në zbatimin e legjislacionit për të drejtën e informimit, ashtu si edhe në kultivimin e kulturës së transparencës dhe mirëqeverisjes.
“Bashkia Tiranë mban një peshë shumë të madhe në dhënien e informacionit, po ashtu edhe në përcaktimin e standardeve të shërbimit për qytetarët. Të jesh në gjendje të informosh veten lirisht në kohë dhe hapësirë, me mjetet e duhura është kusht i domosdoshëm për të menduar në mënyrë demokratike.
Zyra e Komisionerit është partner i çdo autoriteti publik, i çdo aktori të shoqërisë civile apo medias dhe patjetër, një derë e hapur për çdo qytetar, pasi kjo është një e drejtë dhe liri themelore e sanksionuar në Kushtetutën e Shqipërisë”, theksoi Komisioneri, Besnik Dervishi, në fjalën e tij përshëndetëse.
Në vijim të aktivitetit, për të pranishmit u prezantuan pikat kryesore të legjislacionit për të drejtën e informimit, ndryshimet dhe përmirësimet që iu bënë atij javën e kaluar nga Kuvendi, si dhe raste nga praktika e veprimtarisë së autoriteteve publike dhe Zyrës së Komisionerit.
Një nga çështjet kryesore të trajtuara ishte ajo e transparencës proaktive (Programi i Transparencës dhe Regjistri i Kërkesave dhe Përgjigjeve), në funksion të përditësimit të vazhdueshëm të informacionit në shërbim të qytetarëve.
Njëkohësisht, u theksua se forcimi dhe konsolidimi i rolit të koordinatorit brenda strukturës institucionale, shërben për më shumë përgjegjshmëri në ushtrimin e funksioneve publike.
Dita e të Drejtës për Informim, e njohur ndërkombëtarisht si Dita e Aksesit Universal në Informacion – International Day of Universal Access to Information (IDUAI) kremtohet prej vitit 2002.
Ndërsa, prej vitit 2019 kjo datë është njohur zyrtarisht nga Asambleja e Përgjithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
/r.e/












