Ballina Bota

FOKUS – 50 gradë Celsius në Pakistan?

ISLAMABAD, 20 qershor /ATSH-DPA/ – Pakistani po përgatitet për një valë të nxehti me temperatura që pritet të rriten deri në 50 gradë Celsius, në provincën më të populluar të vendit.

“Temperaturat pritet të rriten deri në 50 gradë në Punxhabin jugor dhe disa zona të Sindhit”, tha sot shefi i Departamentit të Meteorologjisë, Sardar Sarfraz.

Departamenti i Meteorologjisë i Pakistanit lëshoi një njoftim ku thuhet se temperaturat e ditës ka të ngjarë të mbeten 4 deri në 6 gradë më të larta se normalja në Punxhab dhe disa pjesë të Sindhit.

“Publiku i gjerë këshillohet që të shmangë ekspozimin e panevojshëm ndaj rrezeve të drejtpërdrejta të diellit”, tha ai.

Temperaturat në zonat veriore, ku ndodhen mbi 7000 akullnaja, pritet të jenë 2 deri në 4 gradë mbi normalen.

Këto temperatura do të vazhdojnë nga e marta deri të shtunën.

“Një periudhë e shirave para musonit pritet në fund të javës”, tha Sarfraz.

“Megjithatë, ndryshe nga viti i kaluar, Pakistani pret shira musonesh nën normale këtë vit”, tha ai.

Më shumë se 1700 persona u vranë dhe mbi 33 milionë banorë u prekën nga përmbytjet shkatërruese të shkaktuara nga shirat e parregullt të musonit, vitin e kaluar.

Dhjetëra mijëra persona u evakuuan javën e kaluar përpara ciklonit “Biparjoy”, në Pakistan dhe Indi.

India fqinje është prekur gjithashtu nga vala e të nxehtit, ku dhjetëra persona kanë vdekur ditët e fundit.

Pakistani është përgjegjës për më pak se 1% të emetimeve globale të karbonit, por është ndër 10 vendet më të cenueshme nga klima.

Vitet e fundit Pakistani është prekur nga përmbytjet e shpejta, erozioni i tokës, shpërthimet e reve, thatësirat dhe smogu që rezultojnë në cilësi të ulët të ajrit. //a.i/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakHodaj: Pika e re kufitare me Malin e Zi çelet në fund të vitit 2024
Artikulli tjetërSulmet kibernetike, Ekonomi: Rikthyem më shpejt se të gjithë në funksionim platformën e-Albania