TIRANË, 14 qershor /ATSH/ Komisioni i Kuvendit për Veprimtarinë Prodhuese dhe Tregtinë dhe Mjedisin, zhvilloi sot një seancë dëgjimore me Tomi Frashërin, kryetarin e Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, lidhur me raportin vjetor të këtij institucioni për vitin 2022.
Frashëri tha se shkalla e mbulimit të territorit dhe popullsisë dhe përdorimi i shërbimeve të komunikimeve elektronike, përmes rrjetit celular dhe fiks mundëson akses në rrjet publik të komunikimeve elektronike, si dhe akses broadband në internet për pothuajse të gjitha familjet dhe popullsinë e Shqipërisë, pavarësisht vendndodhjes gjeografike të përdoruesit.
“Mbulimi me rrjet celular GSM që mundëson akses në rrjet publik të komunikimeve
elektronike, përfshirë akses dhe përdorim interneti funksional, në fund të vitit 2022
rezultoi në 100 % të popullsisë dhe rreth 97 % të territorit. Të tre operatorët që ofronin shërbime celulare, për vitin 2022 kanë raportuar mbulim të popullsisë me rrjet 3G në nivele rreth 91-99 %. Për sa i përket mbulimit të territorit dhe popullsisë me rrjet LTE (4G), bazuar në raportimet e kryera për vitin 2022, rezulton se mbulimi është rreth 96 % për territorin dhe rreth 99 % në nivel popullsie”, u shpreh ai.
Sipas të dhënave statistikore të raportuara në AKEP nga sipërmarrësit e rrjeteve të
komunikimeve elektronike, numri i pajtimtarëve me akses broadband nga rrjete
fikse në fund të vitit 2022 arriti në rreth 21 % në nivel popullsie dhe 80 % për familje,
nga 20 dhe 77 që raportohej në vitin 2021. Ndërsa numri i përdoruesve aktivë (përdorim në 3 muajt e fundit) të aksesit broadband nga rrjetet celulare në fund të vitit 2022 ishte rreth 2.1 milionë pajtimtarë apo 4 % më i lartë se në vitin 2021.
Frashëri tha se, 82.6% e popullsisë (grupmosha 16-74 vjeç) e përdorin internetin, nga të cilët 91.6 % e përdorin çdo ditë; Përqindja e familjeve shqiptare që kanë akses në internet është 96.5 %, krahasuar me 88.3 % të një viti më parë; 90.3 % ose 665,362 familje kanë akses në internet me rrjet fiks broadband (rrjet fibër optike ose kabllor, ADSL, etj.), tregues i cili ka shënuar rritje prej rreth 12 pikë përqindje krahasuar me vitin 2021; Përqindja e familjeve me akses në internet nëpërmjet lidhjes “mobile broadband” (3G/4G, tablet, etj.), është 99.2 %, krahasuar me 99.1 % në vitin 2021; 99.9 % e individëve kanë përdorur aparat celularë/telefona inteligjent (smart) për të hyrë në internet. Ndërkohë 23.5 % e popullsisë e përdorin internetin nëpërmjet laptopit, 20.8 % nëpërmjet kompjuter/desktop dhe 13.1 % nëpërmjet tabletit dhe 98.5 % e individëve që përdorin internetin kryejnë thirrje/videothirrje përmes përdorimit të aplikacioneve OTT (p.sh., WhatsApp, Skype, Viber etj.).
Ai theksoi se, AKEP-i ka realizuar kontrollin/inspektimin e ofruesit të shërbimit postar “Posta Shqiptare” sh.a., ku ka konstatuar se subjekti “Posta Shqiptare” sh.a., ka përmbushur detyrimin mbi heqjen e tarifimit nga marrësi për tërheqjen e pakove postare.
Gjithashtu vijoi ai, gjatë vitit 2022, është bashkëpunuar me AMA-n për mbylljen e disa faqeve të internetit/ domaineve, por ato kanë qenë për çështje të përmbajtjeve që binin ndesh me ligjin organik të AMA-s, dhe jo për çështje të rasteve të gjuhës së urrejtjes dhe të dhunës në portalet e ndryshme online.
Frashëri vlerësoi se marrëveshja për uljen e tarifave të shërbimit roming ka dhënë rezultat në rritjen e ndjeshme të përdorimit të internetit gjatë qëndrimit në roaming,
ku të dhënat tregojnë për një rritje më shumë se 20 herë, po të krahasojmë të dhënat
e tremujorit të tretë të viti 2022 me ato të tremujorit të tretë të 2019 (periudha
para pandemisë).
“Kuadri i ri rregullator në nivel europian ka për qëllim përballimin e sfidave të
reja të sektorit, për shkak të rëndësisë gjithmonë e më të madhe që ka ky sektor
në fushën e ekonomisë digjitale, duke qenë promotori i kësaj ekonomie, pasi të
gjitha aktivitetet tregtare që kryhen sot online mbështeten pikërisht në rrjetet e
komunikimeve elektronike. Kodi i ri i komunikimeve elektronike ka synuar normimin
e të gjithë veprimtarisë së sektorit me qëllim shtimin e një shtylle të re në kuadër të
rregullimit të tij (new connectivity objective), mundësinë e promovimit të rrjeteve
të shpejtësisë së lartë, duke siguruar një shtrirje dhe akses maksimal të rrjeteve
dhe infrastrukturës së shpejtësisë së lartë, ku, një ndër qëllimet kryesore është
dhe implementimi i gjeneratës 5G, si dhe përforcimin e rolit dhe pavarësisë së
autoriteteve rregullatore kombëtare dhe trupit rregullator evropian, BEREC”, deklaroi Frashëri.
/r.e/























