Ballina Flash

Java Kulturore Italiane nis aktivitetet në Tiranë, Shkodër e Vlorë

TIRANË, 1 qershor/ATSH/ Qershori nis me Javën e Kulturës Italiane, aktivitetet e së cilës do të zhvillohen në Tiranë e rrethe, deri më datën 7 qershor. Programi i kësaj jave është i ngjeshur me ngjarje mes të cilave përmendim promovimin e produkteve të shumëllojshme italiane nëpër qendra tregtare, koncert me këngët e festivalit italian të fëmijëve “Zecchino d’oro”, promovime librash, kulinari me theksin tek produkti më i famshëm italian, pica etj.

Një nga veçantitë e Javës Italiane në këte edicion të dytë të Javëve Kulturore Ndërkombëtare është “konsullata shëtitëse”, një risi që do të çojë më pranë të interesuarve, shërbimet konsullore të drejtpërdrejta. Sot “konsullata shëtitëse” do të jetë në Shkodër, qytet ku do të ketë dhe një sërë aktivitetesh të tjera përfshi shfaqje filmash, promovim produktesh “Made in Italy” etj. Të interesuarit për shërbimet e konsullatës, si për shembull studentët, do të mund të marrin informacion pa qenë nevoja të caktojnë paraprakisht takim me autoritetet konsullore.

Përveç se në Tiranë e Shkodër, Java Kulturore Italiane, sot do të jetë e pranishme edhe në Vlorë, me prezantimin në Konsullatën e Përgjithshme Vlorë, si dhe me një spektakël “kabaret” në Universitetin “Ismail Qemali”.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakOSLO – NATO diskuton marrëdhëniet me Ukrainën dhe shpenzimet për mbrojtjen
Artikulli tjetërBeci takon kryekomunarin e Ulqinit: Diskutuam urën mbi Bunë dhe projekte të tjera të përbashkëta