TIRANË, 27 prill/ATSH – I. Vata/ -Kandidati i Partisë Demokratike, Agron Kapllanaj zhvilloi sot një takim me qytetarët në lagjen “5 shkurti”, në qytetin e Mallakastrës.
Në bashkëbisedim me banorët, Kapllanaj theksoi se, si në njësitë administrative dhe në fshatra, por edhe në lagjet e qytetit, situata është e njëjtë.
“Bashkia Mallakastër, në 4 vitet e fundit, ka qene inekzistente. Banorët kujtojnë vetëm punët që janë bërë kur pushteti vendor drejtohej nga unë, madje as mirëmbajtja e tyre nuk është bërë dhe po shkojnë drejt shkatërrimit. E njëjta situatë duket edhe në lagjen “5 Shkurti”, ku banorët shprehin shqetësimin për mungesën e vëmendjes”, tha ai.
Po ashtu, Kapllanaj tha se, “do t’i japim frymëmarrje Mallakastrës dhe më 14 maj do të bëjmë ndryshimin’.
“Ata e dinë që bashkë do t’i rikthehemi punës, prandaj në 14 maj do të ndëshkojnë këdo që i la në harresë. Duke më falënderuar për veprat e lëna në këtë lagje, më dhanë premtimin se në 14 maj do të bëjmë ndryshimin për t’i dhënë frymëmarrje Mallakastrës”, shkroi Kapllanaj në një postim në rrjetet sociale.
/gj.m/






















