Ballina Flash

Sot festohet Dita e Shën Patrikut

TIRANË, 17 mars/ATSH/ Sot është dita e Shën Patrikut, një nga festat më të rëndësishme për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Megjithëse nuk është një nga festat zyrtare të Amerikës, entuziami me të cilin përcillet kjo ditë, e bën të konsiderohet si festë e ditë pushimi.

“Sot nuk është vetëm një ditë për të festuar kulturën dhe trashëgiminë irlandeze, por edhe një ditë e rëndësishme për Shtetet e Bashkuara. Dita e Shën Patrikut është bërë një traditë e kulturës dhe diversitetit amerikan”, shkruhet sot në profilin online të Ambasadës amerikane në Tiranë.

Kjo ditë festohet nga miliona amerikanë. Tipike janë paradat me muzikë e njerëz të veshur me të gjelbër për të nderuar trashëgiminë dhe kulturën irlandeze.

Një nga traditat më të famshme në ditën e Shën Patrikut në pesë dekadat e fundit zhvillohet në qytetin e Çikagos ku lyejnë lumin Çikago të gjelbër.

Parada e parë për nder të Shën Patrikut, ka ndodhur pikërisht në Amerikë dhe jo në Irlandë. Ajo u zhvillua në vitin 1601, në qytetin Shën Agustin të Floridës.

Në ditët e sotme, parada më e madhe e Shën Patrikut zhvillohet në Nju-Jork, ku më shumë se 2 milionë spektatorë rreshtohen përgjatë bulevardit ku parakalohet. Të gjithë ata transformohen në irlandezë, pavarësisht prejardhjes, të paktën për këtë ditë feste.

/gj.m/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakAlibeaj dorëzon në KQZ deklaratën e firmosur si kryetar i komanduar i PD-së
Artikulli tjetërBilali: 100 nomadë digjitalë, të drejtë të punojnë deri në një vit nga Shqipëria