Ballina Aktualitet

Tabaku: Parlamenti të kontrollojë qeverinë për procesin e integrimit

TIRANË, 16 mars/ATSH – I. Vata/ Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku deklaroi sot se, parlamenti duhet të ketë mundësi të kontrollojë qeverinë për proceset e integrimit.

Gjatë debatit në seancën plenare të Kuvendit, për një projektligj për çështjet e integrimit, Tabaku deklaroi se, “projektligji duhet të përputhet më tepër me BE-në”.

“Nevoja për këtë ligj të ri lindi natyrshëm dhe si rezultat i sfidave që has Shqipëria në këtë fazë të re të procesit dhe t’i paraprijë dinamikës dhe metodologjisë së re që Komisioni Evropian ka paraqitur për Shqipërinë. Partia Demokratike ka dhënë kontributin më të madh në këtë proces”, tha ajo.

Tabaku tha se, “parlamenti duhet të ketë mundësi të kontrollojë qeverinë për proceset e integrimit dhe nëse është e nevojshme ta nxisë atë për plotësimin e detyrimeve. Parlamenti duhet të informohet për pozicionin e vendeve anëtare për secilin nga 35 kapitujt e negociatave dhe të ketë një diskutim të gjerë”.

“Anëtarësimi në BE do të ketë ndikim në jetë e qytetarëve shqiptarë, me të drejta shtesë dhe detyrime, prandaj deputetët duhet të kenë mundësi t’u sqarojnë qytetarëve sfidat”, theksoi ajo.

“Shqipëria diskuton për reformën në drejtësi. Por ligji është më i fortë për të dobëtin dhe unë përshëndes kolegët që mbështetën një nënë, e cila ndodhet pas hekurave, ndonëse është akoma në ditët e para të lindjes së fëmijës së saj. Pra deputetët duhet të kenë të drejtë para çdo raundi të bisedimeve të marrin nga qeveria informacione gjithëpërfshirëse për pozicione të mundshme. Kjo bëhet për të krijuar transparencën e nevojshme për deputetët e parlamentit”, tha ajo.

Tabaku tha se, parlamentit i njihej si arritje nga raporti i KE, ngritja e Komisionit Hetimor për Inceneratorët.

“Ka të paktën 3 herë thirrje për Komision Hetimor dhe nuk janë pranuar dhe kjo gjë nxjerr pozicionin e deputetit në hije, lë jashtë parlamentin, por mbi të gjitha nuk lë opozitën të kërkojë llogari. Opozita nuk është në parlament si një numër, por për ta bërë procesin e integrimit më të denjë”, tha Tabaku.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprak“Time”: Berati, sinonim i historisë dhe mikpritjes
Artikulli tjetërKAS regjistron në zgjedhje PD-në e përfaqësuar nga Alibeaj