Ballina Flash

Ekspozitë për Mësonjëtoren e Parë Shqipe

TIRANË, 6 mars/ATSH/ Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, njoftoi sot përmes një postimi në rrjetet sociale, për çeljen e një ekspozite që i bën homazh institucionit të parë të gjuhës shqipe, Mësonjëtores së Korçës.

“Kuptimin e vërtetë 7 marsi e ka në Korçë, në Mësonjëtoren e Parë Shqipe, që shpërndau dritën në të gjithë Shqipërinë”, shkruan ministrja Margariti, duke ftuar në këtë mënyrë, pranë Muzeut të Arsimit në Korçë, ku nesër me rastin e Festës së Mësuesit, do të hapet ekspozita “Mësonjëtoret e para përmes dëshmive të kohës”, ekspozitë e cila sjell objekte, fotografi, zëra.

7 marsi i këtij viti përkon me 136-vjetorin e Mësonjëtores. Me këtë rast Muzeu i Arsimit ka përgatitur një ekspozitë me sende personale, fotografi dhe materiale që do të shfaqen në video, si homazh i përpjekjes për dije.

Mësonjëtorja u hap më 7 mars të vitit 1887 në Korçë në periudhën e fundme të Perandorise Osmane. Tashmë ndërtesa e shkollës shërben si muze.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakSHBA – Scholz: Nëse Kina dërgon armë në Rusi do të ketë pasoja
Artikulli tjetër25-vjetori i Epopesë së UÇK-së, homazhe në Prekaz