Ballina Flash

Përkujtohet eksodi i marsit 1991

TIRANË, 6 mars/ATSH/ Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave përkujtoi sot një nga ngjarjet që shenjuan Shqipërinë postkomuniste, eksodin drejt Italisë.

Më 6 mars të vitit 1991, më shumë se 3000 shtetas lanë Shqipërinë dhe hipën në bordin e anijes “Tirana” për t’u nisur drejt fqinjit, përtej Adriatikut.

Me gremisjen e diktaturës, të motivuar nga liria e rifituar, bashkatdhetarët u drejtuan në kërkim të botës së ëndërruar prej kuadrit të ekranit të televizorit, për të siguruar mirëqënien e munguar. Ikjet gjatë javës së parë të marsit të vitit 1991 qenë të përmasave tejet të mëdha, aq sa kjo ndodhi u konsiderua si analoge me eksodin biblik.

Gjithashtu, braktisja masive e vendit, mobilizoi elitën politike të kohës për të marrë masat e nevojshme për parandalimin e fluksit emigrator.

Në dokumentin që DPA ka publikuar, paraqiten fragmente të procesverbalit të mbledhjes së Këshillit të Ministrave, të zhvilluar nën drejtimin e kreut të këtij organi, Fatos Nano, më datë 06.03.1991 dhe me objekt shqyrtimi “situatën në portin e Durrësit”.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakNikolla uron Gjeloshajn për fitoren e zgjedhjeve në Komunën e Tuzit
Artikulli tjetërMjekët e rinj çelin Kongresin e Shëndetësisë: Të vendosur për të kontribuar