Ballina Flash

“Karnavalet”, 4 netë duartrokitje në TKOB

TIRANË, 28 shkurt/ATSH/ “Karnavalet” e Inva Mulës shitën të gjitha biletat e katër netëve shfaqje në TKOB. Produksioni i ri e mbushi sallën plot, u pëlqye nga publiku dhe ndërkohë është njoftuar se pa rënë jehona që pati në Tiranë, trupa e artistëve do të shkojë drejt Korçës.

Më 4 mars, “Karnavalet” do i rikthehen vendit të zanafillës duke përcjellë të njëjtën alegri edhe në teatrin “Andon Zako Çajupi”.

Opereta “Karnavalet” u vu në skenë për herë të parë më 5 shkurt 1978. Një vepër e repertorit kombëtar, e cilësuar si një nga më të çmuarat e këtij lloji ku gërshetohet humori i hollë i personazheve dhe mënyra e të jetuarit elegante korçare, të cilat kanë lënë gjurmë të rëndësishme në kujtesën e kulturës artistike dhe sociale të shoqërisë sonë.

“Karnavalet” kësaj here erdhën nën regjinë dhe kujdesin e veçantë të Inva Mulës, si një homazh kushtuar babait të saj, Avni Mula, i cili është kompozitori i veprës, si dhe Luigj Gurakuqit, libretisti.

Ngjarja e viteve `30 të shekullit të kaluar, bazohet në një skenografi me imazhe grafike, që e tregon veprën me anë të projeksionit fragmentar të copëzuar në lëvizje, frymëzuar nga fotografi i madh, lindur në qytetin e Korçës, Gjon Mili.

Skenografia e parë paraqet shtëpinë e Nikollaqit, e krijuar me kuinta të cilat krijojnë idenë e rrugicave me kalldrëm të qytetit, e dyta është e gjitha e krijuar me telajo dhe mobilieri tipike të familjeve të pasura të qytetit, në kontradiktë më shpirtin e varfër të tyre, ndërsa e treta paraqitet me një sallon të dekoruar fiks për të shpallur fejesën e Afrovitit.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakVeliaj: Piramida do të jetë atraksioni më i kërkuar nga turistët
Artikulli tjetërINSTAT: Numri i lejeve për ndërtesa të reja u rrit me 1.7 %