TIRANË, 14 shkurt /ATSH/ Drejtori i përgjithshëm i Doganave, Genti Gazheli, zhvilloi një takim me përfaqësuesit e Shoqatës të Sektorit Manifakturë e Veshjeve dhe të Këpucëve.
Gazheli shprehu angazhimin maksimal të Administratës Doganore për të diskutuar në mënyrë të hapur dhe të drejtpëdrejtë problematikat e biznesit në lidhje me procedurat doganore.
“Gjatë viteve të fundit, administrata doganore është udhëhequr nga parimi i transparencës dhe përgjegjshmërisë në raport me bizneset dhe qytetarët, në funksion të objektivave të saj, jo vetëm për mbledhjen e të ardhurave, por sidomos lehtësimin e procedurave dhe mbrojtjen e tregtisë së ligjshme dhe të ndershme”, tha Gazheli.
Ai theksoi se informatizimi i procedurave dhe formaliteteve doganore, aplikimet online, veçanërisht përgjatë dy viteve të fundit, kanë lehtësuar aktivitetin prodhues, importues dhe (ri)eksportues të bizneseve të sektorit.
Ndërsa përfaqësuesit e “Proeksport”, u shprehen mjaft pozitivisht mbi marrëdhënien e re bashkëpunuese dhe korrekte që tashmë është vendosur me ADSH.
“Nëse para disa viteve kishte një mal me probleme dhe bëhej një libër me ankesa, ndërkohe tani nga anketa e të gjithë anëtarëve janë dy-tri ankesa. Aktualisht shkurtimi i kohës së shërbimeve dhe marrjes së autorizimeve brenda ditës, është një proces që as e kishim menduar ndonjëherë”, u shpreh Florian Zekja, koordinator i Proeksport.
Ekspertët e Doganave dhe përfaqësuesit e Proeksport, gjatë këtij takimi u fokusuan në zgjidhjen e problematikave që do të ndihmonin në kryerjen e veprimtarisë së kompanive prodhuese të veshjeve dhe këpucëve.
/r.e/












