TIRANË, 5 janar/ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla sqaroi sot në një intervistë televizive, procedurat e përzgjedhjes së kandidatëve të PS-së për kryetarë bashkie në zgjedhjet vendore të 14 majit.
“PS tashmë ka një eksperiencë në shumë palë zgjedhje dhe ka një aleancë përtej vetes. Duket shpeshherë si retorikë aleanca me njerëzit e tjerë të zakonshëm të vendit, por në shumë vende, jo vetëm në Shqipëri, shumë parti politike përdorin sondazhet si instrumentin më pak të gabueshëm për të marrë vlerësimin e qytetarëve”, tha ai.
Balla theksoi se sondazhi është i mirë sepse shkon përtej partisë tënde.
“Gjasat janë që nëse bën një votim brenda partisë, ai që zgjidhet mund të jetë militanti më i mirë por jo administratori më i mirë. Ne i kemi përmbyllur sondazhet në shumë bashki dhe në ditët e para të këtij vitit të ri do të kemi edhe përmbylljen e sondazheve”, tha ai.
Balla theksoi se ka po ashtu një rol të ri të këshillave bashkiakë duke i transformuar ato në parlamente vendore.
“Këtu PS do të sjellë pastaj komplet një qasje të re krahasuar me çfarë kemi pasur deri tani, ku listat e këshillave mblidhen natën e fundit. Ne synojmë t’i japim një mundësi të pamundësuar më parë djemve dhe vajzave profesioniste, që do të rikthehen në vendin e tyre pas studimeve dhe duan të kontribuojnë në qytetin ku jetojnë. Kjo duke i transformuar këshillat bashkiakë në parlamente vendore që të shërbejnë edhe si një lloj kontrolli ndaj kryetarëve të bashkive si kontrollues i mirëmenaxhimit të të ardhurave”, tha ai./m.m/






















