TIRANË, 15 dhjetor/ATSH/ Kryetarja e Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, Gentiana Sula e shoqëruar nga deputetët e PD-së, Dhurata Çupi dhe Gledion Nallbati u pritën në një takim në shtëpinë e Lekë Pervizit.
Në qendër të bisedës ishte puna e bërë nga Autoriteti në drejtim të zbardhjes të së shkuarës, si dhe ndihmës së pamatë që Lekë Pervizi, ish-i dënuar, ish-i përndjekur politik, ka bërë në dokumentimin e krimeve të ndodhura në kampin e Tepelenës, në të cili ai vuajti një pjesë të dënimit të tij 40-vjeçar.
Në këtë takim u fol për integrimin e shqiptarëve që mësojnë dhe punojnë në Belgjikë, të cilët nuk e harrojnë kurrë vendin e tyre duke promovuar vlerat kombëtare.
Lekë Pervizi lindi në Skuraj të Krujës më 2 mars 1929. Ai është një piktor shqiptar, shkrimtar, publicist, poet dhe ish-i përndjekur politik, me banim në Belgjikë.
I biri i gjeneral Prenk Pervizit dhe Prena (Ana) Pervizit, Leka lindi në një familje të shquar katolike të veriut. Pervizi ndoqi studimet në Romë, Itali, ku qëndroi deri në qershor 1943. Kur u kthye në Shqipëri 1944, ai u persekutua nga diktatura komuniste si një kundërshtar politik, i cili vuajti dënimin prej 40 vitesh në burgje dhe kampe internimi. Pervizi e rigjeti lirinë në Belgjikë në 1990, ku iu dedikua me devotshmëri aktiviteteve artistike dhe letrare.
Ai themeloi dhe publikoi në tetor 1993 revistën shqiptare “Kuq e Zi”. Ai publikon në këtë revistë kujtimet e tij, poezitë e vizatimet të krijuar në kushtet e periudhës së internimit, si dhe përkthen punime që lidhen me historinë e Shqipërisë. Në 6 mars 2012, një shkollë në fshatin e Plukës në Lushnjë mori emrin e tij “Shkolla 9-vjeçare Lek Pervizi Pluk”, në fshatin ku Pervizi jetoi dhe punoi për 32 vite si i internuar.
Ndër punimet e tij më të rëndësishme është publikimi i skicave të kampit “famëkeq” të internimit në Tepelenë, të cilat arritën ti mbijetonin kohës dhe sistemit komunist. Ato vizatime Leka ka arritur t’i ruaj dhe reflektojnë kujtimet vetjake të situatave gjatë internimit dhe të bashkëvuajtësve me të cilët kishte ndarë dënimet.
Leka erdhi në Shqipëri në 1943 ku shumë shpejt (nëntor 1944) u arrestua e kaloi dënime të njëpasnjëshme nën persekutimin e diktaturës komuniste, nga 1950 deri më 10 tetor 1990: në Berat, Tepelenë, Porto-Palermo, Shtyllaz, Radostinë, Kuç, Lushnjë (Savër, Gradishtë, Plug).
Bilanci i familjarëve dhe të afërmve të Lekë Pervizit të larguara nga jeta gjatë komunizmit është 23 vetë: 13 burra, të pushkatuar ose vdekur në burg, 4 gra dhe 6 fëmijë, varret e të cilëve përveç mamasë dhe të vëllait (Gencit), nuk dihen. Leka ka shkruar monografitë e dy vëllezërve të tij, Valentinin e Gencin, të dy të vdekur: Genci- në kampin e Gradishtës pas 42 vitesh burgjesh e kampesh, ndërsa Valentini pas 47 vitesh internim u bashkua në Itali me bashkëshorten, ku gjeti vdekjen në 1999 në Bolonjë.
Me propozim të Autoritetit në 23 gusht 2018 Lek Pervizi u dekorua me Titullin e lartë “Për Merita të Veçanta Civile” nga Kreu i Shtetit. Ky titull iu dha në shenjë nderimi e respekti, e me mirënjohje të veçantë për vuajtjet e sakrificat e tyre si dhe dokumentimin historik nëpërmjet pasqyrimit e vizatimit të kushteve çnjerëzore nëpër kampet e internimit, situatave dhe portreteve njerëzore
Autoriteti për Informim me Dokumente të ish-Sigurimit të Shtetit po mban aktivitete të rëndësishme, gjatë vizitës disa ditore në Bruksel, në kuadër të misionit të hedhjes dritë mbi të shkuarën komuniste të vendit tonë dhe krijimit të urave lidhëse me komunitetit shqiptar që ndodhet në Belgjikë.
/k.s/r.e/























