UASHINGTON, 2 nëntor /ATSH/ – Lëvozhga e karkalecave përmban një biopolimer, kitin, i cili, i shtuar në përzierjen e çimentos, e bën atë deri në 40% më rezistent, sipas një studimi të botuar në ”Cement and Concrete Composites”, shkruan focus.it.
Studimi thekson se përdorimi i mbetjeve të karkalecave do të kontribuonte edhe në zvogëlimin e emetimeve të dyoksidit të karbonit, të prodhuara nga industria e çimentos.
”Duke rritur forcën e çimentos, kjo përzierje e re mund të ndihmojë edhe në uljen e sasisë së emetimeve të dyoksidit të karbonit gjatë prodhimit”, shpjegon Somayeh Nassiri, autore e studimit.
Çimentoja është materiali më i përdorur në botë pas ujit.
Prodhimi i saj lëshon shumë CO2, pasi kërkon përdorimin e lëndëve djegëse fosile për të arritur temperaturën 1 500°C , e nevojshme për gatimin e klinkerit (“baza” e përbërë nga gur gëlqeror ose gips dhe balta).
Industria e çimentos është përgjegjëse për rreth 15% të të gjithë konsumit të energjisë industriale dhe 5% të emetimeve të gazeve serrë në mbarë botën.
Nanokristalet dhe nanofibrat e kitinës janë rreth një mijë herë më të vogla se flokët e njeriut.
Kitina është biopolimeri më i bollshëm në natyrë pas kolagjenit.
Mbetjet e peshkut janë gjithashtu një problem serioz për industrinë e peshkimit.
Çdo vit vetëm Evropa prodhon 2,5 milionë tonë mbetje, shumica e të cilave përfundojnë në det.
Mbetjet e gaforreve, karkalecave dhe karavidheve përbëhen nga 20-30% kitin, dhe pjesa tjetër nga karbonat kalciumi.
Suksesi i kitinës si ngurtësues është për shkak të mënyrës se si ndërvepron me grimcat e çimentos.
“Nanogrimcat e kitinës sprapsin grimcat e çimentos, duke ndryshuar kapacitetin e tyre të hidratimit”, shpjegon Michael Wolcott, një nga autorët./ /os/












