TIRANË, 18 tetor/ATSH/ Java e Kulturës Austriake solli pasditen e sotme në Tiranë teatrin e rrugës të titulluar “AusTroPop” që mblodhi kureshtarë e të apasionuar duke dhuruar argëtim për të rritur e fëmijë.
Kështu, publiku u tërhoq në mënyrë magjike nga spektakli i artistëve të performancës Irrwisch.
Në kuadër të Javës së Austrisë, Irrwisch prezantoi një shfaqje argëtuese, të bujshme dhe akrobatike “AusTroPop” pasditen e sotme në Tiranë, për të vijuar më pas edhe në Durrës, Vlorë dhe Shirokë.
Shfaqja u krijua enkas për udhëtimin e tyre në Shqipëri dhe sigurisht ka nxitur mjaft kërshëri te publiku.
Java e Kulturës Austriake sjell për publikun shqiptar një sërë aktivitetesh që kremtojnë kulturën, artin, muzikën dhe traditat e këtij vendi mik.
Sezoni i ri i Javëve Ndërkombëtare të Kulturës nisën në 1 shtator me Britaninë e Madhe e vijuan me Javët e Kulturës Suedeze, Egjiptiane, Gjermane, Kineze e Japoneze.























