Ballina Flash

KE: Vetingu, rezultate në luftën kundër korrupsionit

TIRANË, 12 tetor/ATSH/ Komisioni Europian publikoi sot progresraportin për Shqipërinë, në të cilin theksohet se Shqipëria ka bërë progres në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Për sa i përket kritereve politike, në legjislaturën e re të dalë nga zgjedhjet e vitit 2021, të cilat u mbajtën pas marrëveshjes ndërpartiake të 5 qershorit 2020, në raport theksohet se anëtarët e zgjedhur nga partitë më të mëdha opozitare zunë vendet e tyre në parlament. “Parlamenti zgjodhi Presidentin e ri të Republikës. Konflikti i brendshëm brenda partisë më të madhe opozitare (PD) preku jetën parlamentare”, shpjegon raporti.

“Sa i përket reformave të orientuara nga BE, sipas raportit, Parlamenti miratoi një shtyrje me afat të kufizuar të mandatit të organeve të vetingut dhe nëntë ligjeve që synojnë përafrimin me legjislacionin e BE-së. “Qeveria vijoi angazhimin e saj për reformat e integrimit në BE dhe përforcoi strukturën e saj të koordinimit për integrimin, por ajo duhet të avancojë më tej axhendën e reformave të BE-së, së bashku me opozitën dhe të gjitha shtresat e shoqërisë”, citohet në raport.

Në raport thuhet se pavarësisht përmirësimeve të financimit, ka pasur përparim të kufizuar në zbatimin e udhërrëfyesit për krijimin e një mjedisi mundësues për shoqërinë civile.

“Krijimi i disa agjencive qeveritare nën varësinë e Kryeministrisë, pa një kuadër drejtues gjithëpërfshirës dhe pa një vëmendje sistematike ndaj linjave të mbikëqyrjes dhe raportimit, ngre pyetje në lidhje me standardet e administratës publike. Një strategji e re decentralizimi pas vitit 2022, mbetet për t’u miratuar dhe konsultimi në rrjedhën e sipërme në nivel vendor do të jetë thelbësor. Pavarësisht përmirësimeve të financimit, ka pasur përparim të kufizuar në zbatimin e udhërrëfyesit për krijimin e një mjedisi mundësues për shoqërinë civile”, vijon raporti.

Sipas raportit, Shqipëria është mesatarisht e përgatitur në fushën e reformës së administratës publike.

”Ajo ka bërë përparim të kufizuar në forcimin e kapaciteteve të ministrive të linjës për të zbatuar vlerësimet e ndikimit rregullator dhe për të mbajtur konsultime publike. Filloi përgatitjet për reformën e pagave dhe zgjeroi sistemin e automatizuar të listës së pagave. Zbatimi i reformës së administratës publike 2015-2022 dhe strategjitë e reformës së menaxhimit të financave publike 2014-2022 kanë vijuar. Sistemet e IT-së për planifikim të integruar nuk janë ende plotësisht funksionale. Megjithatë, organet në varësi të ministrive (agjencitë) vazhduan të krijohen pa një kornizë gjithëpërfshirëse drejtuese, vëmendje sistematike ndaj mbikëqyrjes ose linja të qarta raportimi”, citohet raporti.

Raporti evidenton se ato, gjithashtu e përkeqësuan më tej çështjen e detyrave që i besohen personelit të punësuar sipas Kodit të Punës, në vend të nëpunësve civilë.

“Dispozitat për rekrutimin e bazuar në merita në ligjin e shërbimit civil mbeten për t’u zbatuar plotësisht, veçanërisht për pozitat e nivelit të lartë. Numri i shërbimeve të ofruara online vazhdoi të rritet, por kjo gjithashtu ngre pyetje në lidhje me aksesin e barabartë për qytetarët me aftësi të kufizuara digjitale”, thuhet më tej.

Sipas raportit të publikuar ditën e sotme, sistemi gjyqësor i Shqipërisë ka arritur një nivel të moderuar përgatitjeje.

“Reforma gjithëpërfshirëse në drejtësi ka vijuar dhe ka ecur përgjithësisht mirë. Dy gjyqtarë të rinj u emëruan në Gjykatën Kushtetuese në mars dhe shtator 2022, duke përmirësuar më tej aftësinë e gjykatës për të përmbushur mandatin e saj. Është bërë progres edhe me Gjykatën e Lartë, e cila tani ka 15 gjyqtarë në detyrë, duke mundësuar uljen e numrit të çështjeve të pazgjidhura për herë të parë në gjashtë vjet, nisjen e unifikimit të praktikës gjyqësore dhe të emërimit të gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese. Priten emërime të mëtejshme në Gjykatën e Lartë. Megjithatë, procedurat e gjata, ritmi i ngadaltë i zgjidhjeve dhe një numër i madh çështjesh të mbetura pezull vazhdojnë të ndikojnë negativisht në efikasitetin e sistemit gjyqësor”, thuhet në raport.

Për të adresuar këto probleme, vijon raporti, pas konsultimeve u miratua një hartë e re gjyqësore.

“Nevojiten përpjekje shtesë për ta vënë në zbatim, si dhe për të përmirësuar sistemin e menaxhimit të çështjeve dhe sistemin e trajnimit për magjistratët”, theksohet më tej.

Sipas raportit të KE-së, rivlerësimi i përkohshëm i të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve (procesi i vetingut) ka përparuar në mënyrë të qëndrueshme.

“Nën kujdesin e Komisionit Evropian, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit ka vijuar të mbikëqyrë procesin në mënyrë të pavarur. Deri më 12 shtator, institucionet e vettingut kishin përfunduar 554 çështje në shkallën e parë. Rreth 64% e dosjeve të vetting-ut të shqyrtuara deri më tani kanë rezultuar me shkarkime, dorëheqje ose përfundimin e mandatit të magjistratëve të verifikuar. Institucionet e vettingut duhet të vazhdojnë t’u referojnë organeve të prokurorisë rastet kur ka të dhëna për vepra penale”, deklarohet në raport.

Më tej theksohet se Struktura e Specializuar Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), e përbërë nga Prokuroria e Posaçme (PP) dhe Byroja Kombëtare e Hetimit (BKB), vazhdoi punën e saj. Pas një rritje të buxhetit në vitin 2021, PP tani ka 17 prokurorë, rekrutimi i tetë hetuesve financiarë është në proces dhe BKH arriti në një kapacitet të plotë funksionimi prej 60 hetuesish pas një raundi të dytë rekrutimi.

Raporti vlerëson se Shqipëria ka shënuar një nivel përgatitjeje në luftën kundër korrupsionit.

“Ajo vijoi përpjekjet e saj për të ndërtuar historikun e saj të hetimeve, ndjekjeve penale dhe dënimeve në luftën kundër korrupsionit dhe dha disa rezultate. Këto përpjekje duhet të vazhdojnë. Megjithatë, vullnet më i madh politik, përpjekje të mëtejshme të strukturuara dhe burime dhe aftësitë adekuate mbeten të nevojshme”, vijon raporti.

Në raport vlerësohet se edhe pse vetting-u i anëtarëve të gjyqësorit është një proces administrativ, ai vazhdon të sjellë rezultate në luftën kundër korrupsionit brenda gjyqësorit.

“Gjykata e SPAK-ut dha disa vendime të rëndësishme të formës së prerë për zyrtarë të lartë të shtetit, përfshi një ish-ministër të Brendshëm dhe një ish-prokuror të Përgjithshëm. Edhe pse vettingu i anëtarëve të gjyqësorit është një proces administrativ, ai vazhdon të sjellë rezultate në luftën kundër korrupsionit brenda gjyqësorit. Në Ministrinë e Drejtësisë u krijua një Drejtori e re e Përgjithshme Kundër Korrupsionit. Në përgjithësi, pavarësisht disa rezultateve pozitive, korrupsioni mbetet një shqetësim serioz. Rritja e numrit të dënimeve të zyrtarëve të nivelit të lartë mbetet një prioritet i rëndësishëm për të luftuar më tej kulturën e mosndëshkimit. Sektorët që janë më të rrezikuar nga korrupsioni kërkojnë vlerësim të synuar të rrezikut dhe masa të dedikuara”, thuhet në raport.

Raporti thekson se, “Shqipëria ka një nivel përgatitjeje në luftën kundër krimit të organizuar. Ajo bëri njëfarë progresi në përmbushjen e rekomandimeve të vitit të kaluar. Bashkëpunimi i fortë dhe i frytshëm me shtetet anëtare të BE-së, Europolin dhe Eurojust-in ka çuar në rezultate të prekshme. Shqipëria vijoi të tregojë angazhim në luftën kundër kultivimit dhe trafikimit të kanabisit”.

“Progres i mirë është arritur në sekuestrimin dhe konfiskimin e aseteve të përftuara nga krimi i organizuar. Kjo përpjekje duhet të vazhdojë edhe në të ardhmen. Përpjekjet gjithashtu duhet të vijojnë për të siguruar rritje të ndjekjeve penale dhe dënimeve të formës së prerë, veçanërisht në nivelet e larta”, vijon raporti.

Raporti bën të ditur se, “lufta kundër krimit kibernetik, trafikimit të qenieve njerëzore dhe pastrimit të parave mbeten fusha në të cilat nevojiten rezultate shtesë. Fenomeni i abuzimit seksual të fëmijëve në internet mbetet shqetësues. Vendi përparoi në mënyrë të qëndrueshme në zbatimin e Planit të Veprimit të Taskforcës së Veprimit Financiar (FATF) për të përmirësuar efektivitetin në luftën kundër pastrimit të parave, por Shqipëria mbeti në listën e juridiksioneve nën monitorim të shtuar. Hetimet financiare duhet të shoqërojnë në mënyrë sistematike procedurat penale. Shqipëria miratoi një strategji të re kombëtare ndër-sektoriale kundër terrorizmit dhe plan veprimi në dhjetor 2020”.

“Për të drejtat themelore, Shqipëria zbaton në përgjithësi instrumentet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe ka ratifikuar shumicën e konventave ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave themelore. Është bërë njëfarë progresi në përdorimin e alternativave të paraburgimit dhe, veçanërisht, në zhvillimin e shërbimit të provës, i cili mbetet plotësisht funksional, duke përfshirë edhe shkelësit e mitur”, thuhet në raport.

“Shqipëria miratoi një plan të ri veprimi për LGBTIQ, i cili përfshin masa për të luftuar diskriminimin, përmirësimin e aksesit në shërbime dhe miratimin e ligjit për njohjen gjinore dhe një plan kombëtar veprimi për barazi, përfshirje dhe pjesëmarrje të romëve dhe egjiptianëve. Nevojiten përpjekje të shtuara për konsolidimin e të drejtave pronësore përmes regjistrimit dhe digjitalizimit të të dhënave kadastrale dhe sektori mbetet i prirur ndaj korrupsionit, ndërkohë që procesi i kompensimit ka ngecur. Për mbrojtjen e pakicave kombëtare, Shqipëria miratoi një legjislacion të ri zbatues që krijon një fond për projektet e shoqërisë civile në mbështetje të të drejtave të minoriteteve”, vijon raporti.

Raporti thekson se, “megjithatë, miratimi i pjesës tjetër të legjislacionit zbatues, duke përfshirë lirinë për t’u vetidentifikuar si anëtar i një pakice kombëtare dhe për përdorimin e gjuhëve të pakicave, është ende në pritje. Përgatitjet për regjistrimin e shumëpritur të popullsisë dhe banesave vazhduan, duke përfshirë regjistrimet pilot në zonat e popullsisë pakicë, megjithatë regjistrimi u shty për në vitin 2023. Duhet të ndërmerren veprime të mëtejshme për të forcuar mbrojtjen e të dhënave dhe përafrimin e legjislacionit kombëtar me Rregulloren e Përgjithshme të BE-së për Mbrojtjen e të Dhënave ( GDPR)”.

“Shqipëria ka një nivel përgatitjeje/është e përgatitur mesatarisht në fushën e lirisë së shprehjes. Nuk është bërë progres në periudhën raportuese. Ndërthurja e interesave të biznesit dhe politikës vijoi të pengonte pavarësinë e medias dhe cilësinë e gazetarisë.
Dezinformimi duke përfshirë fushatat e shpifjeve janë të përsëritura, veçanërisht në mediat online, vetërregullimi i të cilave duhet të garantohet. Atmosfera e sulmeve verbale, fushatave shpifëse dhe akteve të frikësimit ndaj gazetarëve nuk është përmirësuar. Çdo ndryshim në Ligjin për Median duhet të jetë në përputhje me opinionin e Komisionit të Venecias dhe duhet të dorëzohet për konsultim në organizatat e medias. Mbetet e rëndësishme të sigurohet që media të ketë akses të drejtpërdrejtë dhe transparent në institucionet qeveritare dhe aktivitetet e tyre. Performanca rregullatore e Autoritetit Rregullator Audio-vizual (AMA) duhet të përmirësohet dhe pavarësia dhe burimet e transmetuesit publik duhet të forcohen”, thuhet në raport.

“Shqipëria miratoi një strategji kombëtare të re dhe të mirëbuxhetuar për barazinë gjinore dhe vijon përpjekjet për të siguruar financimin e duhur shtetëror për zbatimin e saj në nivel qendror dhe vendor. Nevojiten përpjekje për të siguruar që të gjitha strategjitë kombëtare në nivel qendror dhe lokal kanë elementin gjini të integruar dhe marrin në konsideratë gjininë në buxhetet e tyre”, thuhet më tej në raport.

Raporti thekson se, “sa i përket shtetësisë, Shqipëria duhet të tërhiqet nga zhvillimi i një skeme për dhënien e shtetësisë për investitorë (pasaportat e arta) pasi ajo do të përbënte rreziqe përsa i përket sigurisë, pastrimit të parave, evazionit fiskal, financimit të terrorizmit, korrupsionit dhe infiltrimit nga krimi i organizuar dhe do të ishte e papajtueshme me legjislacionin e BE-së”.

Në raport bëhet e ditur se, “sa i përket migracionit, kuadri ligjor për migracionin është kryesisht i përafruar me legjislacionin e BE-së, por ka nevojë për përditësim dhe duhet të sigurojë një kornizë të qartë për menaxhimin dhe koordinimin e migracionit. Numri i migrantëve të parregullt të kapur në Shqipëri në vitin 2021 është ulur me rreth 15% krahasuar me vitin 2020. Nuk është bërë përparim në referimet për procedurë azili dhe zbatimin e procedurave të kthimit në përputhje me kuadrin ligjor”.

“Politika e Shqipërisë për vizat duhet të përafrohet atë të BE-së. Numri i shtetasve shqiptarë që paraqesin kërkesa për azil në shtetet anëtare të BE-së mbetet më i ulët se kulmi i vitit 2015, por është rritur ndjeshëm në verën e vitit 2021, dhe për këtë arsye nevojiten ende përpjekje të vazhdueshme dhe të qëndrueshme. Dialogu dhe bashkëpunimi me vendet më të prekura ka vazhduar, përveç kontrolleve kufitare të imtësishme dhe ndërgjegjësimit për të drejtat dhe detyrimet në kuadër të regjimit pa viza. Shqipëria duhet të vazhdojë të trajtojë fenomenin e të miturve të pashoqëruar. Komisioni po monitoron nga afër trendin në kuadër të mekanizmit monitorues pas liberalizimit të vizave”, thuhet në raport.

Raporti thekson se, “në kriteret ekonomike, Shqipëria ka bërë progres të mirë dhe është mesatarisht e përgatitur për zhvillimin e një ekonomie tregu funksionale. Ndikimi i pandemisë COVID-19 në ekonomi, deficiti buxhetor dhe raporti i borxhit publik ishin më të ulëta se sa pritej, por lufta e Rusisë kundër Ukrainës shkaktoi rritje çmimesh dhe ulje të tregtisë. Hapësira fiskale mbetet e kufizuar”.

“Reformat në lidhje me të ardhurat përparuan, por shpenzimet për investime mbeten të dobëta. Rishikimet e shpeshta të buxhetit dobësojnë besueshmërinë fiskale. Inflacioni u rrit mbi objektivin. Rritja e digjitalizimit të shërbimit publik, përfshirja financiare dhe inspektimet e tregut të punës përmirësuan mjedisin e biznesit dhe formalizimin e ekonomisë, por ekonomia joformale mbetet e rëndësishme” thekson raporti.

Sipas raportit, “konsultimi publik mbetet i dobët. Shqipëria ka bërë disa përparime dhe ka një nivel përgatitjeje për të përballuar trysni konkurruese dhe forcat e tregut brenda BE-së. Infrastruktura e energjisë dhe transportit, digjitalizimi dhe arsimi u përmirësuan, por njohuritë sipërmarrëse dhe teknologjike mbeten të ulëta, me nevoja të paplotësuara për investime në kapitalin njerëzor dhe fizik, boshllëqe në aftësi dhe arsim, si dhe shpenzime të ulëta për kërkim dhe zhvillim. Diversifikimi i ulët i eksporteve rrit ndjeshmërinë ndaj goditjeve të jashtme. Integrimi rajonal dhe eksportet u rritën por mbetën nën potencial”.

Raporti bën të ditur se, përsa i përket prokurimit publik, Shqipëria është mesatarisht e përgatitur, vendi ka bërë përparim të mirë, veçanërisht duke miratuar legjislacionin e mëtejshëm zbatues dhe duke prezantuar një sistem elektronik të thirrjeve dhe ankesave.

“Për sa i përket statistikave, Shqipëria është gjithashtu e përgatitur mesatarisht, ka bërë përparim të kufizuar në përafrimin me standardet ESA 2010, publikim dhe transmetim më të shpejtë në Eurostat, por ligji i Regjistrimit të Popullsisë është shtyrë më tej. Shqipëria është mesatarisht e përgatitur në shumicën e fushave për kontrollin financiar, ku vendi ka bërë disa përparime, veçanërisht në kontrollin e brendshëm financiar publik dhe auditimin e brendshëm”, thuhet në raport.

“Shqipëria është e përgatitur mesatarisht në shumicën e fushave të tregut të brendshëm, përkatësisht lëvizjen e lirë të mallrave, shërbimeve dhe kapitalit, ligjin e shoqërive tregtare dhe politikën e konkurrencës”, vijon raporti.

Në raport thuhet se, “e njëjta gjë vlen edhe për shërbimet financiare dhe për ligjin e pronësisë intelektuale, të dy kapitujt ku vendi ka bërë progres të mirë falë reduktimit të kredive me probleme dhe miratimit të legjislacionit për të drejtën e autorit dhe për të drejtat e pronësisë industriale. Shqipëria ka bërë disa përparime me miratimin e një ligji të ri për të huajt si dhe duke përmbushur disa nga rekomandimet e raportit të Moneyval. Megjithatë, në fushën e politikës së konkurrencës, autoriteti i ndihmës shtetërore duhet të bëhet i pavarur dhe të ketë burime të mjaftueshme”.

“Përgatitjet janë në një fazë të hershme për mbrojtjen e konsumatorit dhe shëndetit, ku vendi ka bërë përparim të kufizuar. Shqipëria ka arritur një nivel të moderuar përgatitjeje në shumë fusha që lidhen me konkurrencën dhe rritjen gjithëpërfshirëse, përkatësisht transformimin digjital dhe median, taksat, politikën ekonomike dhe monetare, sipërmarrjen dhe politikën industriale, arsimin dhe kulturën. E njëjta gjë vlen edhe për bashkimin doganor, ku zbatohen rregullat e origjinës së zonës mbarë-Euro-Mesdhetare dhe organet e përfshira në luftën kundër kontrabandës dhe mallrave të falsifikuara janë forcuar dhe bashkëpunojnë më mirë”, vijon raporti.

“Miratimi i një amnistie tatimore dhe penale kundër këshillave të BE-së dhe Moneyval mund të rrezikojë përparimin në këtë fushë, si dhe në luftën kundër pastrimit të parave. Shqipëria ka një nivel përgatitjeje në politikat sociale dhe punësimin, si dhe kërkimin dhe inovacionin”, thuhet më tej në raport.

Raporti shton se, “përsa i përket Axhendës së Gjelbër dhe lidhjes së qëndrueshme, Shqipëria është mesatarisht e përgatitur për energjinë, mjedisin dhe ndryshimet klimatike. Ajo ka një nivel përgatitjeje në fushat e politikës së transportit dhe të rrjeteve trans-evropiane dhe është arritur njëfarë progresi në zhvillimin e rrjeteve të transportit dhe energjisë. Ajo ka bërë përparim në mbrojtjen civile dhe është e gatshme t’i bashkohet Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të Unionit. Është bërë përparim i kufizuar në përafrimin e mëtejshëm të acquis të BE-së për menaxhimin e ujit, kimikateve dhe krimin mjedisor;
Ndikimi i investimeve strategjike në biodiversitetin dhe mbrojtjen e natyrës kërkon vëmendje. Ky grup dhe reformat në fjalë kanë lidhje të rëndësishme me Programin e Reformës Ekonomike të Shqipërisë, Planin Ekonomik dhe Investues të Komisionit dhe Axhendën e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor të miratuar nga Shqipëria në dhjetor 2020.
Shqipëria ka një nivel përgatitjeje në shumicën e fushave të lidhura me burimet, bujqësinë dhe kohezionin, përkatësisht bujqësinë dhe zhvillimin rural, sigurinë ushqimore, politikën veterinare dhe fitosanitare, peshkimin dhe dispozitat financiare dhe buxhetore. Ajo është përgatitur në mënyrë të moderuar për sa i përket politikës rajonale dhe koordinimit të instrumenteve strukturore. Shqipëria ka bërë disa përparime në bujqësi dhe zhvillim rural, veçanërisht me krijimin e një regjistri fermash dhe kapacitete më të mira administrative për zhvillimin rural”.

Raporti thekson se, “progres i mirë u vu re në peshkim, me funksionalizimin e vazhdueshëm të Sistemit të Monitorimit të Anijeve (VMS) dhe shpërndarjen e burimeve njerëzore për të monitoruar dhe raportuar mbi aktivitetet e anijeve të peshkimit. Shqipëria si palë kontraktuese e Komisionit të Përgjithshëm të Peshkimit për Mesdheun (GFCM) po zbaton plotësisht rekomandimet për përpjekjet e peshkimit. Është bërë njëfarë progresi në dispozitat financiare dhe buxhetore. Megjithatë, progresi ishte i kufizuar në sigurinë ushqimore, politikën veterinare dhe fitosanitare, në politikën rajonale dhe koordinimin e instrumenteve strukturore”.

“Në këtë drejtim, koordinimi ndërinstitucional për ndihmën e paraanëtarësimit ka nevojë për përmirësim dhe çështjet duhet të adresohen në lidhje me planifikimin strategjik, zbatimin dhe kapacitetin monitorues të projekteve të infrastrukturës në kuadër të Planit Ekonomik dhe Investimeve”, citohet në raport.

Raporti thekson se, “Shqipëria ka arritur një nivel të mirë përgatitjeje përsa i përket marrëdhënieve të jashtme, sigurisë së jashtme dhe mbrojtjes. Në kapitullin e negociatave për marrëdhëniet me jashtë, Shqipëria shënoi progres duke vijuar përafrimin e legjislacionit në fushën e mallrave me përdorim të dyfishtë dhe zbatimin e protokolleve shtesë të CEFTA-s”.

“Përsa i përket Politikës së Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së, Shqipëria veproi në përputhje të plotë me të gjitha vendimet dhe deklaratat përkatëse të BE-së, duke përfshirë masat kufizuese të BE-së pas agresionit të paprovokuar të Rusisë kundër Ukrainës. Si një anëtare jo e përhershme që nga janari 2022, Shqipëria ka qenë e angazhuar në mënyrë aktive në Këshillin e Sigurimit të OKB-së në promovimin dhe mbrojtjen e rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla”, përfundon raporti i KE-së.

 

 

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakTabaku për raportin e KE: Shqetësim, lufta ndaj korrupsionit, amnistia fiskale dhe pasaportat e arta
Artikulli tjetërRama për “Ballkanin e hapur”: Model bashkëjetese paqësore, jo fuçi baruti e Europës