Ballina Lajme nga Vendi

Hapet shkolla e parë shqipe në Modena të Italisë

TIRANË, 19 shtator/ATSH/- Në Modena të Italisë do të hapet më 7 tetor të këtij viti shkolla e parë shqipe, ku lëndë kryesore do të jetë gjuha shqipe, mësimi i të cilës do të plotësohet dhe me lëndët e tjera si histori, gjeografi, art, tradita dhe valle e muzikë.

Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko, bën të ditur se shkolla do të hapet nga shoqata “Nënë Tereza” në Modena.

Gjatë mbledhjes së stafit të mësuesve të kësaj shkolle u theksua se “mësimi i gjuhës shqipe duhet të parashikojë asimilimin kryesisht në klasë, duke nisur nga mësimi i alfabetit me anë të shembujve praktikë dhe të përfshirjes së nxënësve në punë grupi, për të arritur në përmirësimin e aftësive të tyre në dialogimin dhe shprehjen dhe me shkrim në gjuhën shqipe”.

Klasat do të jenë të ndara në bazë të grupmoshave të fëmijëve, në mënyrë që ambienti mësimor të jetë sa më i përshtatshëm për secilin.

Duke pasur parasysh faktin që materialet mësimore të aprovuara nga Ministria e Arsimit për Diasporën janë vetëm për mësimin e gjuhës, lëndët e tjera do të përgatiten nën drejtimin e mësuesve përkatës, duke shqyrtuar materialet e Ministrisë së Arsimit në portalet institucionale.

“Ndihemi pjesë e një projekti të rëndësishëm për fëmijët tanë dhe të ardhmen e ruajtjes dhe trashëgimisë së pasurisë tonë kulturore. Ndaj ftojmë çdo shqiptar që mbart në vete të njëjtin entuziazëm e dëshirë të angazhohet në këtë drejtim. Ndër shekuj gjuha shqipe rron në trevat jashtë kufijve, tek emigrantët e parë arbëreshë, e le të mos mungojmë së dhëni kontributin tonë dhe ne emigrantët e kohës së re”, shprehen drejtueset e kësaj shkolle. /k.s/ /a.g/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakTURQI – Ankaraja lehtëson kriteret për marrjen e nënshtetësisë turke
Artikulli tjetërRrëfimet e të mbijetuarve të kampit të Tepelenës edhe nga SHBA