Ballina Ekonomi

Skema e mbështetjes për grurin, deri tani 6000 aplikime

TIRANË, 21 shtator /ATSH/ Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR) bëri të ditur se në skemën e mbështetjes për subvencionimin e mbjelljeve të reja të grurit, kanë aplikuar deri tani 6000 fermerë, teksa duhen edhe dy ditë për të përfunduar afati i aplikimeve.

Sipas ekspertëve të bujqësisë, fermerët kanë treguar interes për skemën e mbështetjes për mbjelljen e grurit duke aplikuar për të qenë përfitues.

Skema aplikohet për herë të parë dhe në dispozicion të fermerëve janë 500 milionë lekë të ndarë në 30 mijë lekë për hektarë. AZHBR njofton se, tashmë numri i aplikimeve ka kaluar edhe fondin e përcaktuar për financim, duke patur parasysh që aplikimet mbyllen më 23 shtator.

AZHBR tërheq vëmendjen se, fermerët duhet të jenë të kujdesshëm, pasi do të përfitojnë financim vetëm pasi të verifikohet në terren sipërfaqja e mbjellë me grurë, në të kundërt fermerët që kanë gënjyer do të kenë penalitete.

Pagesat për këtë masë mbështetëse do të kryhen deri në fund të këtij viti, në llogarinë bankare personale të çdo fermeri.

Shuma prej 30 mijë lekë për hektar, mbështet një pjesë të kostove dhe për këtë arsye është ngritur një grup pune, i cili do të përcaktojë se sa do të jetë vlera e mbështetjes për vitin e ardhshëm.

/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBerisha me grupin parlamentar: Shpërbërje e plotë e shtetit ligjor
Artikulli tjetërHumbja e pikëve të patentës, nga 127 të regjistruar vetëm 5 e rifitojnë