Ballina Flash

Kërkime arkeologjike në Dobër

TIRANË, 11 shtator/ATSH/- Instituti i Arkeologjisë në bashkëpunim me Universitetin Oxford (Britani e Madhe), realizuan gjatë periudhës gusht-shtator 2022  kërkime arkeologjike në Dobër/Vagalat, në fushën e Livadhjasë, lugina e poshtme e Pavllës.

Akademia e Studimeve Albanologjike bën me dije se objektivi i projektit është të sqarojë kontekstin në cilin, në fillim të shekullit të shkuar, është zbuluar një grup i jashtëzakonshëm skulpturash, që u vendos në Butrint nën kujdesin e arkeologut Dhimosten Budina dhe sot janë të ekspozuara në Muzeun e Butrintit.

Zona, objekt i kërkimeve zhvillohet në dy nivele: i poshtmi dallohet nga prania e një muri madhështor tarracimi përgjatë rrugës Livadhja-Konispol e cila mendohet se ndjek rrugën antike që lidhte qytetet e Foinikes dhe Butrintit; i epërmi dallohet nga prania e disa strukturave ku veçohet banesa e fortifikuar-vilë e Dobrës, e gërmuar në vitet ’80 të shekullit të shkuar nga arkeologu Dhimitër Çondi.

Gjatë këtyre kërkimeve u gjurmua shtrirja e mundshme e strukturës monumentale, e cila lidhet pashmangshmërisht me praninë e një tempulli dhe u nxorën në dritë të dhëna të reja mbi vijimësinë kronologjike të strukturave nga periudha helenistike deri në atë mesjetare.

Projekti bashkëdrejtohet nga arkeologët Belisa Muka, Milena Melfi dhe Oliver Gilkes dhe në të morën pjesë arkeologë të Institutit të Arkeologjisë, si dhe studentë nga Universiteti i Oxfordit, Fakulteti i Studimeve Klasike dhe Universiteti i Tiranës, Departamenti i Arkeologjisë dhe Trashëgimisë Kulturore.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKosovë, 6 raste të reja me COVID-19
Artikulli tjetërRikthehet Peza N’Fest më 16 shtator