Ballina Flash

Tabaku: E papranueshme rritja e çmimit të energjisë

TIRANË, 9 shtator /ATSH-I.Vata/ Deputetët e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku dhe Arbi Agalliu deklaruan sot se është e papranueshme rritja e çmimit të energjisë, ndërsa paketën mbështetëse të Qeverisë e cilësuan si të pamjaftueshme.

Në një deklaratë për mediet, Tabaku tha se kjo është një qeveri që vetëm ankohet dhe nuk ofron zgjidhje.

“Ka politika qeveria për diversifikimin e energjisë dhe prodhimit të saj? Nuk ka qeveria ende politika, pasi kjo qeveri vetëm ankohet dhe nuk ofron zgjidhje. Ka ndonjë plan qeveria për të vendosur një çmim tavan për blerjen e energjisë qoftë edhe duke bashkëpunuar me shtetet e tjera të rajonit? Qeveria duhet të kishte vendosur një taksim ekstra për fitimet ekstra të kompanive të energjisë dhe naftës. Kjo duhet të rishpërndahej tek qytetarët dhe bizneset në nevojë, siç po vepron Europa. Në Europë çmimet e energjisë luhaten duke parë edhe angazhimet dhe politikat ekonomike. Pra çmimet kanë qenë dhe 1000 euro/kilovat dhe sot kanë zbritur në 400 kilovat. Duhet një plan i qartë se si do të operohet”, tha Tabaku.

Tabaku shtoi se jemi në një situatë ku qeveria duhet të kishte marrë vendimet me kohë që në gusht dhe shtatorin e vitit të kaluar.

“Dhe masa e vetëm që mori qeveria ishte të bëjë tendera dhe koncesione. Masat që duhet të marrë qeveria është të ndalohen menjëherë të gjithë tenderat që kanë nisur, që nuk lidhen me prioritet me çmimin e energjisë dhe të sigurohet maksimumi i kursimeve. Sot qeveria miraton një paketë gjysmake me 50 milionë euro”, tha ajo.

Nga ana e tij, Arbi Agalliu theksoi se paketa antikrizë e sjellë nga qeveria është e pamjaftueshme.

“Në këtë akt normativ të buxhetit të vitit aktual, nuk ndryshojnë parashikimet qeveritare mbi vlerën nominale të PPB-së. Aspektet kryesore në këtë akt normativ: Rritja me rreth 30 miliardë lekë të pritshmërive për të ardhurat totale krahasuar me planin qeveritar të vendosur në aktin e mëparshëm normativ mars 2022. Në aktin normativ të miratuar mars 2022, plani për të ardhurat totale u rrit me 10 miliardë lekë. Nëse i shtojmë edhe 30 miliardë lekë të këtij akti normativ do të thotë se kemi në total rritje me 40 miliardë lekë nga buxheti i miratuar në nëntor 2021. Kemi rritje të tatimfitimit me 8.4 miliardë lekë, taksat nacionale me 1.75 miliardë lekë, taksat doganore me rreth 1 miliard lekë. Ndërkohë vetëm nga TVSH kemi rreth 17 miliardë lekë më shumë. Kuptohet që rritja ka ardhur si pasoj e rritjes së nivelit të përgjithshëm të çmimeve dhe jo si rezultat i zhvillimit ekonomik, aktivitetit tregtar, qarkullueshmërisë së parasë etj., pra efekt i qartë si pasojë e rritjes së çmimeve”, tha Agalliu.

/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBM – Shumë pak e dinë domethënien e kësaj fotoje
Artikulli tjetërBrenda 2023-shit, ulet në 30 ditë afati i rimbursimit të TVSH-së për biznesin