Ballina Flash

Programi amerikan OneBeat, fton muzikantët shqiptarë për bashkëpunim

TIRANË, 31 gusht/ATSH/ Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka ripërsëritur thirrjen për pjesëmarrje në programin “OneBeat”.

Thirrja u shkon të gjithë muzikantëve shqiptarë, prej moshës 19 deri në 35 vjeç, të aplikojnë në këtë program, duke u bërë pjesë e një komuniteti artistësh nga 50 vende të ndryshme.

“Kjo është një përvojë që vjen një herë në jetë”, thuhet në njoftimin e Ambasadës, 3 ditë përpara mbylljes së aplikimeve.

Pjesëmarrësit të cilët do të pranohen në “OneBeat”, do të mblidhen në Shtetet e Bashkuara për një muaj, në prill-maj 2023 ose në shtator-tetor 2023, për të shkruar, prodhuar dhe interpretuar së bashku muzikë origjinale, si dhe për të zhvilluar strategji për angazhime sociale të bazuara në art.

“OneBeat” u ofron muzikantëve mundësinë e bashkëpunimit në projekte të reja dhe në eksplorimin e traditave të reja muzikore, duke vënë theksin tek bashkëpunimi dhe jo ekspozimi i talenteve individuale. Muzikantët e OneBeat do të punojnë së bashku përtej ndasive kulturore e stilistike, në kërkim të mundësive të reja muzikore. Programi do të mbulojë shpenzimet e udhëtimit, ushqimit e qëndrimit, në Shtetet e Bashkuara.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBERLIN – Merkel: Gorbaçov tregoi sesi një burrë shteti i vetëm mund të ndryshonte botën
Artikulli tjetërAlibeaj: Shkarkimi i Nanos nuk e zgjidh situatën e kriminalitetit