Ballina Flash

Dita e “Shiritit të Zi”, përkujtohen viktimat e regjimeve totalitare

TIRANË, 23 gusht/ATSH/ Më 23 gusht 2009, Bashkimi Evropian zyrtarizoi një datë përkujtimore mbi viktimat e stalinizmit dhe të nazizmit.

Dita e “Shiritit të Zi”, siç njihet në shumë vende me emrin e tij zyrtar, është një rikujtesë për viktimat e të gjitha regjimeve totalitare dhe një mundësi për të promovuar vlerat demokratike në Evropë.

Kjo ditë merr shkas edhe nga ngjarjet e zhvilluara në vendet baltike, ku rreth dy milionë njerëz bashkuan duart e tyre në një formë proteste antisovjetike më 1989-ën, për t’i dhënë fund pushtimit sovjetik.

Vendosja e 23 gushtit si një ditë ndërkombëtare përkujtimi për viktimat e totalitarizmit, u mbështet edhe nga Deklarata e Vilniusit e vitit 2009 e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, sjell logon e kësaj dite, si dhe dokumentet  e korrespondencës së vitit ’64, mes Komitetit Ndërkombëtar në Dakau dhe kryeministrit shqiptar Mehmet Shehu, për ngritjen e një memoriali në kampin famëkeq të Dakaut.

Për të kujtuar fitoren e popujve mbi nazizmin, të gjitha vendeve që morën pjesë në luftën antifashiste, iu kërkua një kontribut financiar për ndërtimin e një memoriali që sipas Komitetit Ndërkombëtar, nuk do të sillte urrejtje, por do të ishte një vepër respekti e mëshirimi.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBERLIN – Magazinimi gjerman i gazit rus kalon 80%
Artikulli tjetërPërkujtohet Marigo Posio, gruaja e flamurit