TIRANË, 26 korrik/ATSH/ 4 vjet më parë ndahej nga jeta, simboli i rezistencës kombëtare shqiptare Adem Demaçi.
Me prejardhje nga fshati Lupq i Podujevës, Demaçi u lind më 26 shkurt 1936 në Prishtinë. Adem Demaçi ishte veprimtar për kauzën kombëtare në kohën e Jugosllavisë dhe luftonte për barazinë e Kosovës me Republikat e tjera të Jugosllavisë.
Për angazhimin e tij politik, Adem Demaçi vuajti 28 vjet me radhë në burgjet e Jugosllavisë. Pasi u lirua, ai menjëherë vazhdoi aktivitetin e tij politik.
Adem Demaçi quhet edhe Nelson Mandela i Evropës.
Nga mesi i viteve 1990, ai ishte pjesë e protestave të shqiptarëve etnikë kundër dhunës nga regjimi i Slobodan Millosheviç.
Avokati i pavarësisë së Kosovës, Demaçi, u nderua me çmimin prestigjioz të Parlamentit Evropian “Saharov” për të drejtat e njeriut në vitin 1991.
Adem Demaçi udhëhoqi Këshillin për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut (KMDLNJ) nga 1990 deri 1995.
Në harkun kohor 2005-2007, qëndroi në krye të Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës. Në vitin 2010, në shenjë vlerësimi për veprimtarinë e ngjeshur me karakter kombëtar, u dekorua me urdhrin “Hero i Kosovës”.
Më herët kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka vlerësuar lart figurën e veprimtarit të shquar duke thënë se “kur nuk kishin shkolla shqiptarët, Adem Demaçi ishte mësues, kur nuk kishin universitet, ishte intelektuali i tyre, e kur nuk kishin ushtri, ai ishte luftëtari”. /j.p/r.e/





















