TIRANË, 1 korrik /ATSH/ Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut miratoi sot projektrezolutën për vlerësimin e veprimtarisë së Prokurorit të Përgjithshëm gjatë vitit 2021.
Në drejtimin e kryetares Klotilda Bushka, komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut në mbledhjen e tij të radhës shqyrtoi në cilësinë e komisionit përgjegjës, projektrezolutat për vlerësimin e veprimtarisë së Prokurorit të Përgjithshëm dhe Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) gjatë vitit 2021.
Projekt-rezoluta e parë u paraqit nga deputeti Klevis Xhoxhi, i cili ndër të tjera paraqiti 19 rekomandime se ku duhet të përqendrohet puna e Prokurorisë së Përgjithshme përgjatë këtij viti.
Pas diskutimeve dhe sugjerimeve për përmirësimin e projektrezolutës lidhur me hetimet e nisura kryesisht, hartën gjyqësore, rritjen e transparencës dhe informimin publik, etj., komisioni e miratoi atë dhe ia kaloi për shqyrtim seancës plenare.
Më tej deputeti Pandeli Majko, në cilësinë e relatorit, paraqiti projektrezolutën për vlerësimin e veprimtarisë së Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) gjatë vitit 2021, për të cilën pati disa sugjerime për ti shtuar si rekomandime nga anëtarët e komisionit.
Pas diskutimeve u dakordësua që miratimi i projektrezolutës të vijojë në një nga mbledhjet e radhës së komisionit.
/r.e/






















