TIRANË, 29 qershor/ATSH/ Në selinë e Kuvendit u zhvillua sot mbledhja e parë konstituuese e nënkomisionit për Administratën Publike, në përbërje të Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut.
Nënkomisioni përbëhet nga 7 anëtarë: Ermonela Felaj (Valikaj), kryetare, Saimir Korreshi, zëvendëskryetar, si dhe anëtarët: Bardhyl Kollçaku, Lavdrim Krashi, Hatixhe Konomi, Oerd Bylykbashi, Fatmir Mediu, si dhe anëtarët zëvendësues: Fadil Nasufi, Ilir Topi dhe Gazmend Bardhi.
Në nisje të mbledhjes, Felaj propozoi deputeten e grupit parlamentar socialist, Hatixhe Konomi, si sekretare të nënkomisionit, propozim i cili u miratua në unanimitet nga të gjithë anëtarët.
Rendi i ditës vijoi me diskutime mbi kalendarin e punës së nënkomisionit dhe kontaktet me institucionet kyçe, nga të cilat do të mund të merret informacioni i nevojshëm për të kuptuar dhe vlerësuar si funksionon administrata publike.
Pas diskutimeve nënkomisioni miratoi kalendarin e punës së nënkomisionit.
/m.m/r.e/




















