TIRANË, 18 qershor /ATSH/ “Arkitektura Spanjolle” ishte aktiviteti që u zhvillua pasditen e sotme në Qendrën për Hapje dhe Dialog (COD), në kuadër të çeljes së Javës Ndërkombëtare Kulturore të Spanjës.
Një tematikë me interes të veçantë solli në ambientet e COD publikun e apasionuar dhe të interesuar rreth arkitekturës së qytetit ikonë të Spanjës, arkitekturën e Barcelonës së fillim shekullit të 20-të, nga veprat e arkitekti Antoni Gaudi, prezantuar nga arkitekti Oriol Hostench Ruiz.
Nga sot e deri më 28 qershor, zhvillohet Java Kulturore e Spanjës e cila do të sjellë në kryeqytet dhe në qytete të tjera të vendit aktivitete të larmishme si pasqyrim i traditave, kulturës, kulinarisë spanjolle.
Kjo javë zhvillohet në kuadër të “Javëve Ndërkombëtare të Kulturës”, nismë e qeverisë shqiptare me moton “Shqipëria mikpret botën”, ku marrin pjesë 17 vende të ndryshme të botës, si dhe vende të Bashkimit Evropian.
Java Kulturore e Spanjës vjen pas javëve kulturore të Francës, SHBA dhe Greqisë, Italisë dhe Izraelit të organizuara në Tiranë dhe disa qytete të tjera të vendit












