TIRANË, 14 qershor /ATSH/ Në Tiranë, zhvilloi sot punimet forumi “Digjitalizimi kundrejt parasë fizike”, ku merrnin pjesë Arben Ahmetaj, zëvendëskryeministër dhe ministër i Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave, Gent Sejko, Guvernator i Bankës së Shqipërisë, Delina Ibrahimaj, ministre e Financave dhe Ekonomisë dhe Bledar Shella, kryetar i Shoqatë Shqiptare të Bankave.
Guvernatori i BSH-së, Sejko bëri të ditur se “Banka e Shqipërisë ka vendosur tashmë një shtrat efektiv për krijimin e një revolucioni digjital në tregun e pagesave, nëpërmjet kuadrit ligjor e rregullativ në fuqi, i cili mund të konsiderohet avangard dhe në kontekstin e Bashkimit Evropian”.
Sipas tij, koncepti i “open banking” nënkupton krijimin e zhvillimeve teknologjike, me qëllim që informacioni i klientëve të bankave të jetë i hapur ndaj palëve të treta.
“Tregu është ndërgjegjësuar dhe është i vetëdijshëm se digjitalizimi është e ardhmja, jo vetëm si rrjedhojë e revolucionit teknologjik që po ndodh në çdo fushë të jetës, por edhe nga pikëpamja e zhvillimit strategjik të tyre, në kuadër të minimizimit të kostove e rreziqeve të mbartura nga praktikat tradicionale, dhe njëkohësisht të rritjes së produktivitetit efektiv”, deklaroi Sejko.
Duke iu referuar statistikave Guvernatori tha se, “në vitin 2012, rreth 96 % e transfertave incioheshin në letër në sportelet e bankave, ndërkohë që sot rreth 50 % e transfertave procesohen në distancë. Nëse në llogaritje përfshijmë dhe pagesat me kartë, rezulton se 79% e pagesave dhe transfertave kryhen në distancë dhe vetëm 21 % në degët e bankave. Në këtë këndvështrim, vlerësoj se bankat mbeten të angazhuara për të akomoduar edhe nevojat e platformës e-Albania, si në kushtet ekzistuese, ashtu edhe pas krijimit të “open banking””.
Sejko vlerësoi se, krijimi i një “depozitari qendror” të të dhënave biometrike të popullsisë, të cilat mund të përdoren si elemente sigurie në komunikimin edhe autoidentifikimin në distancë, është një zhvillim mjaft pozitiv për digjitalizimin e shërbimeve bankare.
“Nga ana e bankave dhe jobankave, është i nevojshëm angazhimi për zbatimin në praktikë të të gjitha risive të synuara nga ligji “Për shërbimet e pagesave”. Gjithashtu, është e nevojshme të shihen dhe të vlerësohen mundësitë e zhvillimeve infrastrukturore të parashikuara në strategji, të cilat do të sjellin një efikasitet të shtuar në procesimin e pagesave dhe transfertave, si Instant Payments apo SWITCH-i kombëtar”, deklaroi Sejko.
/r.e/












