Ballina Aktualitet

Zgjedhja e Presidentit, Berisha: Do të votojmë kundër

TIRANË, 3 qershor /ATSH-I.Vata/ Kryetari i PD-së, Sali Berisha deklaroi sot se, do të marrë pjesë në procesin e zgjedhjes së Presidentit të ri, por do të votojë kundër.

Në përgjigje të interesit të medieve se a do marr pjesë në Kuvend në seancën për zgjedhjen e Presidentit, Berisha deklaroi se, PO, do jemi në Kuvend për të votuar kundër.
E kemi një rezolutë në Këshillin Kombëtar që nuk pranon bojkot, do jemi aty dhe do votojmë kundër.

Në lidhje me emrin e Ardian Dvoranin për president, i cili ka marrë vlerësimin nga SHBA si kampion i luftës në Drejtësi, Berisha u shpreh se “presidenti nuk zgjidhet këtu për ndonjë shtet të SHBA-ve apo ndonjë shtet tjetër, ai zgjidhet për Shqipërinë dhe shqiptarët. Në rast se ka ndonjë gjykatës që simbolizon korrupsionin dhe konfliktin e interesit, më shumë se çdokush tjetër që unë njoh në sistemin e drejtësisë, është Dvorani i partisë. Kjo është konsiderata ime për të”, tha ai.

Kryetari i PD-së, Sali Berisha reagoi sot edhe në lidhje me çmimin e naftës në vend duke bërë përgjegjës qeverinë për krijimin e bordeve, sipas tij antikushtetuese.

Në një bashkëbisedim me mediet nga selia blu, Berisha tha se bordet antikushtetuese janë shndërruar në megashushunjat e Edi Ramës, të cilat po vjedhin, plaçkisin dhe grabisin çdo ditë qytetarët shqiptarë.

“Bordet antikushtetuese janë shndërruar në megashushunjat e Edi Ramës të cilat po vjedhin dhe plaçkisin çdo ditë qytetarët shqiptare. Mjafton t’iu rikujtoj këtu se çmimi i naftës dje në Maqedoninë e Veriut ishte 185 lekë, këtu 248, pra 250 lekë në Shqipëri. Çmim i tillë nafte nuk ekziston kund në Evropë dhe botë, përveçse në çifligun e Edi Ramës, që shpiku këtë mekanizëm, duke dhunuar Kushtetutën dhe ligjet për të plaçkitur qytetarët e vet se bashku me klientelën e tij”, tha Berisha.

“Të dhënat e politikave që ndoqi Rama ndaj shqiptarëve janë tepër alarmante. Ju keni lexuar se këto ditë organet më prestigjioze të kujdesit për fëmijë kanë dhënë alarmin se 300 mijë fëmijë shqiptarë kërcënohen për ushqimin e tyre të përditshëm. Shqipëria nuk mund të ketë dhe asnjë vend i lirë nuk mund të ketë borde të cilat të kontrollojnë tregun për llogari të qeverisë. Aty vetëm paguajnë. Çmimin e këtyre organizmave korruptive qeveritare të ngritura me qëllimin e vetëm për të diktuar çmime stratosferike dhe vjedhur sa më shumë qeveria me klientelën e vet. Menjëherë kërkoj ndërprerjen urgjente të veprimtarisë së tyre. U bëj thirrje anëtarëve të bordit të japin dorëheqjen menjëherë, të mos shndërrohen në vegël antikushtetuese e një qeverie, e cila është shndërruar e njohur si organizatë kriminale”, u shpreh ai.

/a.a/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakSHBA – Biden kërkon reagimin e Kongresit, ndërkohë që të shtënat masive vazhdojnë
Artikulli tjetërRama: Tradita dhe kultura shqiptare po shpaloset hijshëm nga artistët e vegjël