TIRANË 29 maj /ATSH-I.Vata/ Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano i akordoi “Certifikatën e karrierës” Komisar Gjergji Thomajit, me motivacionin “Për merita të veçanta, profesionalizmin dhe përkushtimin e treguar në përmbushjen cilësore të detyrave dhe kontributin e dhënë gjatë viteve të punës, në shërbim të Policisë së Shtetit”, me rastin e mbylljes së karrierës në radhët e Policisë së Shtetit.
Gjatë ceremonisë së organizuar në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, në të cilën ishin të pranishëm Zv/Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues i Lartë Albert Dervishaj, Drejtori i Departamentit të Policisë Kriminale Drejtues i Lartë Tonin Vocaj, Drejtori i DVP Durrës Drejtues i Parë Nerotan Nallbati, përfaqësues të strukturave të Policisë së Shtetit, si dhe kolegë të komisarit.
Dervishaj i ka dorëzuar Komisar Gjergji Thomajit, certifikatën e akorduar nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, me rastin e daljes në pension.
Dervishaj, në emër edhe të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, ka vlerësuar si mjaft pozitiv kontributin dhe përkushtimin e Komisar Gjergji Thomajit, në karrierën e tij rreth 40-vjeçare, në strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, dhe jo vetëm.
Drejtori i Departamentit të Policisë Kriminale Tonin Vocaj ka theksuar se, përmbyllja me nder e karrierës, në një rrugëtim kaq të gjatë e plot sfida, tregon vlerat më të mira që mund të mbartë një oficer policie.
“Për këtë ne, shokët e miqtë e tu dhe gjithë organizata e Policisë, ndjehemi krenarë për ty”, u shpreh Vocaj.
Gjithashtu, Vocaj i ka përcjellë njëherazi edhe urimet më të mira për një jetë sa më aktive dhe sa më pranë Policisë së Shtetit, Komisar Thomajit, pasi kontributi i tij është kurdo, një vlerë e shtuar për organizatën e Policisë.
Thomaj, gjatë fjalës së tij, ka falënderuar Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Gledis Nano dhe Zv/Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Dervishaj, për vlerësimin e dhënë, jo vetëm gjatë kësaj ceremonie, por edhe gjatë 4 dekadave karrierë, si dhe ka uruar të pranishmit e kolegët e tij për suksese në punën e tyre.












