Ballina Flash

Shulku falënderon vullnetarët e finales: Jeni thesari ynë

TIRANË, 28 maj/ATSH/ Finalja e Conference League që u zhvillua në Tiranë më 25 maj ishte një nga eventet më madhështore që ka pritur dhe organizuar vendi ynë. Një ngjarje mjaft e veçantë dhe më e madhja futbollistike që e vendosi Shqipërinë në qendër të Europës dhe botës, duke e promovuar në mënyrë fantastike vendin tonë, teksa mijëra tifozë nga Italia e Holanda vizituan vendin tonë në datat 24-25 maj.

Në kuadër të këtij eventi, Federata Shqiptare e Futbollit siguroi pjesëmarrjen e rreth 400 vullnetarëve, të cilët u angazhuan në mbarëvajtjen e këtij aktiviteti, duke mbuluar dhe asistuar në pozicione të ndryshme, që nga siguria, media dhe akreditimi, venue logistic etj, si dhe duke organizuar ceremoninë hapëse të finales.

Një pjesë e vullnetarëve që ishin të pranishëm në këtë sfidë, vizituan sot ambientet e Shtëpisë së Futbollit, ku u pritën nga Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku, i cili duke i falënderuar për të gjithë angazhimin e tyre në këtë finale, u shpreh se dyert e FSHF-së janë gjithmonë të hapura për ta.

 

“Ishte një aktivitet shumë i madh për Shqipërinë dhe një reklamë e madhe për vendin tonë. Gjithçka shkoi në mënyrë perfekte dhe ju luajtët një rol të madh në të gjitha proceset e një nga ngjarjeve më të mëdha që kanë ndodhur në vendin tonë. Shpresoj shumë ta keni shijuar këtë eksperiencë dhe dëshiroj t’ju konfirmoj se për FSHF-në ju jeni një thesar i rëndësishëm dhe dyert e saj janë të hapura çdo kohë për ju”, u shpreh Shulku.

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakRiatdhesimi i 13 shqiptarëve nga kampet në Siri, Policia e Shtetit: Kemi kapacitete profesionale e njerëzore
Artikulli tjetërRama: Transformimi i DRSHTRR në Shkodër, kushte dinjitoze për qytetarët e punonjësit