ABU DABI, 14 maj /ATSH-AFP-DPA/ – Princi i kurorës së Abu Dabit, Mohammed bin Zayed, i konsideruar si lideri ”de facto” i Emirateve të Bashkuara Arabe, u zgjodh sot president i monarkisë së pasur të Gjirit, duke pasuar gjysmëvëllain e tij, Khalifa bin Zayed Al-Nahyan, i cili vdiq dje.
”Mohammed bin Zayed, i njohur si MBZ, u zgjodh nga Këshilli Suprem i Federatës së Emirateve”, njoftoi agjencia zyrtare e lajmeve e EBA-s, WAM.
Presidenti për një kohë të gjatë i Emirateve të Bashkuara Arabe, Khalifa bin Zayed, vdiq në moshën 73-vjeçare.
Shkaku i vdekjes nuk bëhet i ditur.
Khalifa, djali i themeluesit të Emirateve të Bashkuara Arabe, Zayed bin Sultan, kishte drejtuar federatën e shtatë emirateve që nga viti 2004.
Khalifa pësoi një goditje në tru në vitin 2014 dhe ishte parë rrallë në publik vitet e fundit./ a.jor.





















